Logopedi që sulmoi katërvjeçaren në Podujevë ishte licencuar që tri vite

Prishtinë | 17 Gus 2023 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Një katërvjeçare me aftësi të kufizuara dyshohet se u keqtrajtua fizikisht nga logopedi Besart Sokoli. Prindërit e vajzës e denoncuan rastin në Polici, duke thënë se logopedi dyshohet se i ka shkulur flokët dhe se i ka gjakosur hundën. Ndaj Sokolit tashmë kanë nisur hetimet. Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar se Sokoli që tri vite është licencuar si logoped

Logopedi Besart Sokoli ka përfunduar prapa grilave nën dyshimin se e ka keqtrajtuar fizikisht një vajzë katër vjeçare me aftësi të kufizuara.

Gjatë seancës në ordinancën  “Logomedicus”, Sokoli dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës, përkatësisht që i ka shkulur flokët e lënduar hundën duke ia gjakosur. Ndaj të njëjtit janë duke u zhvilluar hetimet, shkruan Gazeta Express.

I njëjti ka tri vite që është licencuar për logoped. E ordinanca është licencuar në shtator të vitit të kaluar. Këto të dhëna i ka bërë të ditura për Express, Ministria e Shëndetësisë.

“Ambulanca e Logopedisë “LOGOMEDICUS” në Podujevë është licencuar në vitin 2022.”, kanë bërë më dije nga ministria.

Lidhur me çështjen e logopedit, Sokoli janë deklaruar edhe nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor.

Nga ky institucion kanë thënë për Gazetën Express, se Sokoli është anëtar i OIK-ut që nga viti 2020 dhe se ka licencë valide deri në vitin 2025.

“Lidhur me pyetjen tuaj, B.S. është anëtar i OIK nga data 11.06.2020 dhe ka licencë valide deri me 2025 në profilin e Logopedisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E lidhur me revokimin e licencës, pas ngjarjes së fundit, ku Sokoli u arrestua, nga OIK kanë thënë se janë në pritje  Inspektoratit Shëndetësor për të ndërmarrë veprime ligjore.

“OIK, është në pritje të vendimit të Inspektoratit Shëndetësor për të ndërmarre veprime ligjore lidhur me shkeljen e supozuar”, thuhet tutje në përgjigjen e OIK për Express.

Për keqtrajtimin që po dyshohet se iu bë 4 vjeçares për Express u deklaruan edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja, Laureta Ulaj tha se ndaj të dyshuarit tashmë është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh teksa pritet të ndërmerren veprimet tjera ligjore.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime procedurale-ligjore. Ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Policinë”, tha ajo.

Vajza siç konfirmoi babai i saj kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i këtij viti.

Logopedi në Podujevë dyshohet se ia ka kapur flokët pacientes së mitur

Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për tek logopedi.

Babai i viktimës në një prononcim për Insajderin ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhune në trupin e fëmijës të tij ishin vërejtur në fund të javës së kaluar.

“Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, e ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë më pas ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune por nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjetë çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjak në hundë dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës, ai i ka thënë ‘kam ushtru presion ma shumë se që duhet’”, ka thënë R.S.

Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

“Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky lloj presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal, e pyetja a ia bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici. Vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares. Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.

Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar.

E ky nuk është rasti i parë që një logoped arrestohet për sulm ndaj pacientëve.

Në nëntorë të vitit të kaluar, ishte arrestuar logopedi Iljasa Fazliu nën dyshimnet se ka përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj një fëmije 3 vjecare me autizëm.

“Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, kështu që i pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me nenin 94 paragrafi 4 nënparagrafi 4.4 të Ligjit mbi Shëndetësinë, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, përmes të cilave ka ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijut. Me këto veprime i pandehuri I. F. dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhej në njoftimin e gjykatës. 

Të ngjashme