Heqja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga udhëheqësit e institucioneve të të dyja shteteve, ishte paralajmëruar me një pompozitet mjaft të madh.
Por, në praktikë, të dy qeveritë më shumë kanë hedhur topin në fushën e njëra tjetrës për veprimet që duhen ndërmarrë. Përderisa njohësit e çështjeve ekonomike, këtë nismë e shohin më shumë si populiste dhe për nevoja të politikës ditore.
Së fundmi, ishte presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ai i cili në emër të institucioneve të Kosovës tha se autoritetet e Kosovës janë të gatshme menjëherë për nxjerrjen e një vendimi që mundëson heqjen e kufirit Kosovë – Shqipëri.
“Do të ishte mrekulli që viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për çka e ftoj mikun tim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që të merr këtë vendim”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media.
Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë vazhdojnë t’u nënshtrohen kontrolleve në pikat kufitare që lidhë këto dy shtete.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se deklaratat e vazhdueshme të liderëve të dy shteteve për heqje të kufirit janë populiste, të cilat, sipas tij, nuk janë koherente në rrugëtimin drejt familjes evropiane.
“Duhet të kuptohet që rruga e Kosovës është partneriteti me shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zbatimi i të gjitha normave dhe kushteve që parasheh CEFTA dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe eliminimi i barrierave duhet të jetë cak i qëllimeve edhe për presidentin, por edhe të tjerët, pasi që nuk mund të bisedohet për integrim evropian nëse humbim kohë duke prodhuar barriera për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe në këtë drejtim duhet të jetë fokusi”, thotë Gërxhaliu.
Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore. Të dy vendet kanë ndërtuar edhe rrugë, apo autostrada që i lidhin më lehtë të dy shtetet.