Nga 28 deri më 30 prill, në Prishtinë do të mbahet Samiti i Investitorëve Amerikanë, një ngjarje e rëndësishme që vjen në një moment kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ky event do të organizohet për t’iu hapur rrugën investimeve, teksa vendi po përgatitet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, kryeqyteti i Kosovës po hyn në një fazë të re transformimi, duke ofruar mundësi të shumta investimi në sektorë strategjikë si infrastruktura, objektet sportive, turizmi, energjia dhe zgjidhjet për qytete inteligjente, shkruan IndeksOnline.
Ky samit synon të shërbejë si një platformë për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi ekonomik.
“Samiti i Investitorëve Amerikanë, 28-30 Prill, ndërsa Kosova përgatitet për Lojërat Mesdhetare 2030. Prishtina po hyn në një fazë të re transformimi duke ofruar mundësi investimi në infrastrukturë, objekte sportive, turizëm, energji dhe zgjidhje për qytete inteligjente. Investimet amerikane tashmë po ndihmojnë në nxitjen e rritjes së përbashkët në Kosovë përmes projekteve të mëdha në infrastrukturë, transport dhe energji – kjo konferencë është një mundësi e re për t’u zgjeruar më tej” deklaron Ambasada.
Ngjarja pritet të mbledhë investitorë, përfaqësues biznesesh dhe institucione nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, duke krijuar hapësirë për partneritete të reja dhe projekte afatgjata zhvillimore.