Lojtarët profesionistë në Spanjë do të testohen këtë javë, që të mund të fillojnë me stërvitje për herë të parë pas afro dy muaj.
Stërvitjet bazike janë lejuar të rinin në Spanjë të hënën, pasi qeveria ka lehtësuar disa nga masat kufizuese që janë vendosur që nga mesi i marsit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Lojtarët e ligës spanjolle pritet të kthehen në fusha në javën pasi testohen për COVID-19 dhe pasi që komplekset stërvitore të klubeve të përgatiten mirë dhe të dezinfektohen. Stadiumet duhet të inspektohen për t’u siguruar që janë në përputhje me protokollet e vendosura nga autoritetet lokale, njoftojnë mediumet spanjolle.
Gjithë lojtarët, trajnerët dhe punëtorët e klubit që do të përfshihen në fazën fillestare startuese do të duhet të testohen dy ditë para se të mund të fillohet me stërvitje individuale.
Testet raportohet se do të nisin të martën dhe liga kërkon që të bëhen teste ditore pasi të fillohet me seanca individuale stërvitore.
Liga dëshiron që të ketë një periudhë stërvitje prej një muaj para se të fillonin ndeshjet pa shikues në qershor. Nuk është caktuar datë për rifillimin e ndeshjeve.
Liga së fundi u ka dërguar klubeve protokollet për sigurinë se si t’i kthehen stërvitjeve.
Ndër të tjera nuk do të lejohet bashkëveprimi i lojtarëve në fazën fillestare. Nuk do të ketë më tepër se gjashtë lojtarë në fushë njëkohësisht dhe ata do të mbajnë distancë të madhe mes vete. Përdorimi i pajisjeve duhet të jetë i limituar dhe trajnerët do të vëzhgojnë lojtarët nga distanca. Lojtarët duhet të veshin doreza dhe maska derisa të jenë në fushë dhe vetëm një apo dy lojtarë mund të ndajnë palestrën në të njëjtën kohë. Protokolli i ligës rekomandon lojtarët që të mos largohen nga shtëpia me përjashtim të shkuarjes në stërvitje.
Thuhet se klubet duhet të caktojnë një sistem të dërgimi të ushqimit te shtëpitë e lojtarëve të skuadrës së parë.
Spanja është një nga shtetet që është goditur më së rëndi nga pandemia. Spanja shpalli gjendje emergjente më 14 mars.
Klubet nga Italia po ashtu këtë javë do të kthehen në stërvitje individuale, Sassuolo e ka bërë tashmë të hënën. Klubet në Angli dhe Gjermani kanë hapur qendrat e tyre stërvitore, ndërsa liga në Francë është anuluar javën e kaluar.