Një driblim i mirë i Edon Zhegrovës u duartrokit nga rreth 100 shikues sa ishin të pranishëm në tribunën perëndimore të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Shikuesit, të martën pasdite, kishin dalë në stadiumin e rinovuar për të përcjellë nga afër stërvitjen e tretë të Përfaqësueses së Kosovës.
Kosova të hënën pasdite nisi përgatitjet për dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve. Të premten në Baku, Kosova luan me Azerbajxhanin, ndërsa Përfaqësuesen e Ishujve Faroe e pret të hënën e ardhshme, pikërisht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Zhegrova mund të ketë ndier ngrohtësinë e shikuesve, por veprime si ai që u duartrokit nuk kërkohen nga përzgjedhësi Bernard Challandes. Zvicerani me përvojë ka kërkuar nga lojtarët të lënë anash spektaklin dhe të luajnë si grup. Është shërbyer me shembuj të përfaqësueseve të mëdha.