Me qindra e mijëra njerëz janë bashkuar në rrugë për të parë fishekzjarrët dhe për të festuar Vitin e Ri 2018 në Britaninë e Madhe. Ndërkohë rreth 10 mijë njerëz kanë blerë bileta për ta shijuar këtë ngjarje, në të cilën krahas fishekzjarrëve kanë dëgjuar edhe këngën e Dua Lipës “Be the one”, përcjellë KultPlus.
Më shumë se 10,000 fishekzjarrë ndriçuan qiellin në çdo ngjyrë. Kjo ngjarje zgjati rreth 12 minuta, ndërsa “The London Eye”, ishte elementi kryesor rreth të cilit ndriçonin fishekzjarrët.
Në ngjarjen e këtij viti u dëgjuan zërat e këngëtareve femra, për të shënuar kështu edhe 100 vjetorin e dhënies së votës nga gratë. Në mesin e shumë këngëtareve, në këtë ngjarje të njohur botërore nuk ka munguar as zëri i këngëtares nga Prishtina, Dua Lipa. Këngëtarja Lipa ka paraqitur në Instagramin e saj një pjesë të transmetimit të hitit të saj “Be The One”, dhe ka ndarë me fansat emocionet e saj lidhur me këtë ngjarje.
“Be The One u lëshua gjatë ndezjes së fishekzjarrëve në Londër, ndërsa unë ndihem si një nënë krenare. Përshëndetje 2018”, ka shkruar këngëtarja në rrjetin e saj Instagram.
Po ashtu gjatë kësaj ceremonie festive janë dëgjuar edhe këngë të Aretha Franklin, Annie Lennox, Florence Welch dhe Ariana Grande.