Nga një histori e fshehtë filmash romantikë, tashmë është shndërruar në lidhjen më të përfolur të momentit, tani dhe me fakte.
Pas gati gjashtë muajsh hamendësime mediatike se prezantuesja e “Top Channel”, Luana Vjollca, po shijon një romancë dashurie me menaxherin dhe biznesmenin nga Kosova, Krenar Çoçaj, janë shkrepur fotot e para të çiftit, ndërsa po dilnin nga një restorant i njohur në Tiranë, raporton “Panorama Plus”.
Revista “Story” ka botuar në kopertinën e numrit të shtatorit fotot e para të çiftit, të shkrepura në “Lion Park”, të kapur dorë për dore pasi kishin shijuar një drekë romantike.
Sipas kësaj reviste, të shtunën e 10 shtatorit, Luana u kap mat me partnerin pasanik nga Prishtina, Krenar Çoçaj.
Luana u fotografua në momentin që dilnin nga restoranti i njohur në kryeqytet me 28- vjeçarin, i cili njihet si ish i dashuri i Dafina Zeqirit, këngëtaren që e menaxhoi prej vitesh deri në momentin e ndarjes. Kjo drekë në Tiranë është e para pas kthimit të çiftit nga pushimet në Punta Cana në Republikën Domenikane, ku Luana festoi 25-vjetorin, një dhuratë e të dashurit.
Bie në sy fakti që nga ai udhëtim mbante ende flokët gërshetë, e veshur me fustan të zi të shkurtër, atlete të kuqe dhe buzët në ngjyrën e kuqe të zjarrtë. Luana dhe Krenari u panë të zbrisnin nga një makinë “Range Rover” e bardhë, që e ngiste Krenari dhe pas hyrjes në restorant, ata u rehatuan në një cep intim, ku shijuan një drekë të shijshme me ëmbëlsira në fund.
Kjo është hera e parë në kaq vite karrierë televizive që Luana fotografohet me të dashurin, pasi në të gjitha rastet e mëparshme kur është përfolur, gjithçka ka ngelur në nivelin e një thashethmnaje, pasi nuk është dokumentuar me foto.
Sipas të njëjtës revistë, Luana dhe Krenari shfaqen kaq afër në publik vetëm pas gjashtë muajsh lidhje sekrete mes Tiranës dhe Prishtinës. Kjo periudhë pauze në television e Luanës, pasi ende nuk dihet se ku do të shfaqet këtë sezon në “Top Channel”, ka shkuar në favor të lidhjes, duke kaluar më shumë kohë me Krenarin.
PASANIKU QË PO KËNAQ LUANËN, PUSHIME LUKSOZE DHE VESHJE TË SHTRENJTA
Më shumë se sa për pamjen e tij, Krenar Çoçaj njihet në Prishtinë si 28-vjeçari pasanik që po kënaq Luanën, duke filluar me pushimet përrallore në destinacionet më luksoze të botës, e deri te veshjet e shtrenjta markë.
Për herë të parë prezantuesja e “Top Channel” u përfol gjashtë muaj më parë për një lidhje me biznesmenin nga Kosova, Krenar Çocaj, ish-të dashurin e Dafina Zeqirit. Pushimet në Santorini, ishin ato që ngacmuan fantazinë e mediave për të mësuar se kush e shoqëronte atje, ndërkohë që ishte përmendur emri i Krenar Çoçajt.
Me anë të një postimi në Instagram, Luana përdori si kod datën 10 korrik 2016, që është edhe ditëlindja e Krenarit. Ai kishte ideuar një festë intime për 28-vjetor, vetëm për vetëm me Luanën në Santorini.
Por njohja me Krenarin nuk ka kaluar pa u vënë re, për sa i përket ndryshimit të stilit të saj të jetës së moderatores së “Pa limit” në “E Diell”. Jeta e Luanës ka ndryshuar, pasi luksi e udhëtimet romantike jashtë vendit, janë gjithnjë e më të shpeshta për të. Kuriozitet ka shfaqur më shumë Krenari, dhe se çfarë bën ai në jetë?
Ai menaxhon bizneset e familjes, që kryesohet nga një rrjet furrash buke, burimi kryesor i të ardhurave. Sa u takon preferencave për femrat, ai njihet si djali i apasionuar pas vajzave VIP, pasi përveç Dafina Zeqirit, (lidhjen me të cilën e ka dokumentuar me pjesëmarrjen në skenat e klipit të saj, të xhiruar në Australi), ai vitin e kaluar i dha fund lidhjes me modelen seksi, Laureta Maqedonci.
Në Prishtinë njihet si shumë tip i shkathët dhe mik i ngushtë i Getoar Selimit. Madje ka qenë pikërisht re-peri i famshëm i “Babastars”, që e ka prezantuar me Luanën, si motra e të dashurës së tij aktuale, Marina Vjollca.