Lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit po konsiderohet si arma më e fortë për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë në prill të vitit 2015, por veç në shtator të këtij viti Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it do të votojë për anëtarësim.
Edhe pse kanë mbetur më shumë se dy muaj kur do të mbahet mbledhja e 86 e INTERPOL-it zyrtarë të institucioneve vendore shprehen të bindur se Kosova do të sigurojë 1/3 e votave të mjaftueshme për tu bërë anëtare.
Anëtarësimi i Kosovës në organizatën më të madhe të sigurisë po shihet fal punës që ka bërë Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera në përgjithësi në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Këshilltarja e lartë politike e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Skender Hyseni, Shqipe Mjekiqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që në shtator Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it.
“Unë e përmenda më herët që asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje profesionalizimi i Policisë së Kosovës dhe ky është argumenti më i fortë të cilin e kemi sepse Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it . Në anën tjetër ju siç e dini Kosova shpesh herë shquhet për luftën e saj kundrejt ekstremizmit dhe terrorizmit pra përveç që do të ishte një gjë e mirë që Policia e Kosovës të jetë pjesë e saj Policia e Kosovës njëkohësisht me anëtarësim mund edhe të kontribuojë më tepër në këtë luftë ndërkombëtare kundrejt terrorizmit”, ka thënë ajo.
Zyrtarja e lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sqaron arsyet se cilat do të jenë përfitimet e Kosovës pas anëtarësimit në këtë organizatë.
“Kosova e cila ka një pozitë strategjike në Ballkanin Perëndimor nuk mund të paramendohet luftimi i krimit dhe i këtyre fenomeneve pa qenë pjesëmarrëse edhe Policia e Kosovës por në të njëjtën kohë siç edhe e thash edhe ne kemi nevojë për informata të cilat i posedon INTERPOL-i që do të na lehtësonin këtë luftë e cila tash nuk e kemi plotësisht sepse siç e dini ne tash për tash kontaktin me INTERPOL-in e kemi nëpërmjet Zyrës për INTERPOL në kuadër të UNMIK-ut”, ka thënë ajo.
Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017.