Në Maqedoni kanë nisur ethet e anketave që lansohen nga institute që janë të afërta me partitë politike. Derisa një anketë e televizionit Telma dhe Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) nxjerr në krye LSDM-në, pak orë më vonë Instituti “Dimitrie Çupovski” nxjerr në krye VMRO-DPMNE-në, informon INA.
Nëse nesër mbahen zgjedhje LSDM do të fitonte më së shumti vota. Për partinë e Zaevit do të votonin 25,5 për qind, ndërsa për VMRO-në do të votonin 20,6 për qind. Këto janë të dhënat nga anketa më e re e realizuar nga Telma dhe QMBN, e realizuar përmes telefonit nga data 15 deri 23 maj me 1052 anketues.
Te partitë shqiptare, e para është radhitur BDI me 7,4 për qind, e dyta Aleanca për Shqiptarët me 2,9 për qind, e treta Lëvizja Besa me 2 për qind. Nuk figurojnë partitë e tjera.
Ndërsa sipas anketës së realizuar nga Instituti “Dimitrie Çupovski” në Shkup, VMRO-DPMNE është në krye me 21.5 për qind, LSDM me 19.5 për qind. Anketa është realizuar sikur ajo e mësipërme nga fundi i këtij muaji. Sa i përket partive shqiptare, 6.3 për qind janë për BDI, 3,2 për Aleancën për Shqiptarët, 2,1 për Lëvizjen BESA dhe 0.8 për PDSH.
Këto anketa kanë shtuar mosbesueshmërinë, pasi që kanë nxitur debate kontradiktore në të dyja taboret politike. Por ato realizohen në periudhën kur vendi në fillim të vitit të ardhshëm do të shkojë në zgjedhje presidenciale, duke mos përjashtuar edhe ato parlamentare.