“Nuk jemi të lumtur” – kjo është përmbledhja e reagimeve të zyrtarëve serbë, pasi Izraeli dhe Kosova zyrtarisht vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt.
Ministri i Jashtëm serb, Nikola Sellakoviq tha më 2 shkurt se ky hap do të “ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael”.
“Izraeli vetë zgjodhi se interesin më të rëndësishëm e ka lidhjen me Amerikën dhe ajo që është e rëndësishme për Amerikën sesa Serbia. Është e drejta e tyre legjitime. Ajo që është e rëndësishme është që ne nuk morëm pjesë në atë proces sepse presidenti i (Serbisë, Aleksandar) Vuçiq nuk pranoi (në Uashington) të nënshkruajë ftesën për Izraelin për të njohur të ashtuquajturën Kosovë dhe anasjelltas”, i tha Selakoviq Radio Televizionit të Serbisë (RTS), duke theksuar se nuk ishte as i lumtur e as i kënaqur me marrëdhëniet e sapokrijuara midis dy vendet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi në mënyrë të ngjashme më 1 shkurt, duke thënë se ky vendim nuk do të ketë efekt pozitiv në marrëdhëniet mes shtetit të tij dhe Izraelit.
Ivo Viskoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, beson se kjo lëvizje nga Tel Aviv zyrtar, do të ketë pasoja.
“Do të ketë ftohje në vizita – nuk do të ketë vizita në nivelin më të lartë, ndoshta nuk do të ketë vizita në një nivel të lartë diplomatik, por vetëm vizita pune”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
Viskoviq vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik do të vazhdojë, por jo në mënyrë intensive.
“Në çdo rast, do të ketë ndryshime në emocionet dhe opinionin e njerëzve sepse kemi kuptuar se nuk ka vende që na mbështesin pa kushte. Gjithkush, gjithmonë dhe mbi të gjitha po shikon interesin e vet,” tha Viskoviq.
Nga ana tjetër, Dragosllav Rasheta, një studiues në organizatën joqeveritare “Rruga e tretë e re”, i tha Radios Evropa e Lirë se ai nuk pret ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Izraelit.
Ai beson se retorikë më e ashpër ndërmjet Beogradit dhe Tel Avivit mund të pritet në ditët në vijim, por thekson që nuk do të ketë ndryshime konkrete.
Rasheta thotë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës ishte përfshirë nga administrata e kaluar amerikane e Donald Trumpit brenda kornizës së Marrëveshjes së Uashingtonit, në mënyrë që të vazhdohej fushata e SHBA-së në ndërmjetësimin e normalizimit të raporteve mes Izraelit me shtetet arabe dhe shtetet tjera.
“Trump kishte nevojë për atë agjendë që të mos ndalej dhe pastaj Kosova u paraqit si një vend me shumicë myslimane, që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin”, thotë Rasheta.
Ai nënvizon se kryeministri aktual izraelit, Benjamin Netanyahu është përqendruar në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për gjysmën e dytë të marsit, dhe ai nuk pret reagime më serioze nga ai shtet.