Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha të premten gjatë një fjalimi në kuvendin se vendi i tij nuk ka interes për luftë.
Megjithatë, ai tha se konflikti do të shpërthente vetëm nëse Bjellorusia ose aleatja e saj e ngushtë, Rusia, sulmohen drejtpërdrejt.
Bjellorusia dhe Rusia kanë planifikuar që të mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake muajin e ardhshëm në Bjellorusi, shtet që kufizohet edhe me Ukrainën. Rusia, përpos në Bjellorusi, ka grumbulluar mijëra ushtarë edhe afër kufirit lindor të Ukrainës.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, John Sullivan, tha se madhësia e trupave të grumbulluara ruse afër kufirit të Ukrainës do të mundësonte pushtim me pak paralajmërim.
Ai gjithashtu paralajmëroi se sanksionet ekonomike ndaj Rusisë do të ishin vetëm një pjesë e përgjigjes së Perëndimit, nëse ushtria ruse do ta pushtonte Ukrainën. Në masa të tjera do të përfshiheshin kontrollimi i eksportit, parandalimi i futjes në operim të gazsjellësit të ri mes Rusisë e Gjermanisë dhe mbrojtja më e madhe e aleatëve në Evropë.
Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për uljen e tensioneve, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të zhvillojë të premten një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, tha për Radio RTL se i përket Putinit që të thotë nëse dëshiron konsultime apo ballafaqim.