Lulzim Basha: Si kryeministër do ta heq traun në Rrugën e Kombit

Prishtinë | 18 Dhj 2020 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka thënë se është e nevojshme që të eleminohen barrierat zyrtare dhe jozyrtare mes Kosovës dhe Shqipërisë të cilat, sipas tij, vazhdojnë të pengojnë integrimin ekonomik.

“Ripërsëris sot, siç ripërsërita edhe në Prishtinë, zotimin tim se një nga vendimet e mia të para si kryeministër do të jetë heqja e traut në Rrugën e Kombit, si dhe negocimi me Qeverinë e Kosovës për mosvendosjen e asnjë pengese tarifore në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ky sigurisht është minimumi. Shumë më shumë duhet të bëhet duke pasë parasysh potencialin e jashtëzakonshëm të dy vendeve tona dhe gjendjen e vështirë ku ndodhen këto dy vende, në veçanti rinia e Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Do të bëjmë gjithçka për të forcuar ekonomitë tona që po vuajnë prej kohësh, në veçanti në këtë kohë pandemie, dhe për të rikthyer shpresën dhe besimin e rinisë dhe gjithë qytetarëve për të ndërtuar jetën e tyre përmes dinjitetit dhe punës”.

Kreu i opozitës shqiptare ka thënë se me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, ka diskutuar edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Shqipëria dhe Kosova kanë të gjitha potencialet e lidershipit politik dhe të profesionalizimit për të udhëhequr në luftën kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe krimit të organizuar që është parakusht për të ndërtuar një ekonomi të fortë me vende pune dhe mirëqenie për të gjithë”.

Basha ka lavdëruar Osmanin për qëndrimet e shprehura në fjalimin e djeshëm në Kuvend dhe në takimin me presidentin shqiptar Ilir Meta.

“Dua ta siguroj atë [Vjosa Osmani] dhe përmes saj institucionet dhe popullin e Kosovës se si kryetar i opozitës sot dhe nesër me përgjegjësitë që do të më ngarkojnë qytetarët shqiptarë, por edhe si nip i juaj, do të bëjmë gjithçka që të rikthejmë bashkëpunimin në nivelet më të larta. Duhet ta dini se shumë shpejt do të keni fuqinë e plotë të mendjes, zemrës dhe energjive të Shqipërisë në krahun e Kosovës dhe çdo qytetari të saj”.

Të ngjashme