Është lojtar që nuk dorëzohet, i dobishëm për ekipin dhe lufton deri në sekondat e fundit të ndeshjes. Kështu e përshkruan Hamdi Namanin, trajneri i Llapit Tahir Batatina, shkruan sot Koha Ditore.
23-vjeçari që në klub dhe në shoqëri njihet si “Lumi”, vlerësohet edhe për kulturën dhe disiplinën si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Kjo e bënë Namanin lojtar të kompletuar për ta bartur edhe shiritin e kapitenit te skuadra kampione e stinorit vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll.
“Namani është lojtar me karakter të fortë. Është lojtar shumë i kulturuar dhe i disiplinuar. Qysh kur i ka pasur 18 vjeç e kemi afruar në skuadër. Është i dobishëm për skuadrën, i posedon të gjitha cilësitë për të ecur përpara. Kam besim që një ditë Namani të luajë edhe në nivel evropian”, thotë trajneri Batatina.
Për ta dëshmuar se është i dobishëm për skuadrën, Batatina tregon se në disa raste Namanin e ka përdorur edhe si qendërmbrojtës.