Lumezi i pakënaqur me punën e prokurorëve, kërkon efikasitet në luftimin e korrupsionit

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 15:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, nuk është i kënaqur me punën e prokurorëve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Lumezi në mbledhjen e Këshillit Prokurorial (KPK), nuk ishte i kënaqur me planin e veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomike. Sipas tij, lëndët janë duke u zvarritur më shumë se që duhet.

“Duhet komisioni të përqendrohet më shumë në punën kualitative të prokurorëve në punën profesionale dhe integritetin e prokurorëve që i luftojnë rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, tha Lumezi.

“Po thonë që ka shumë më shumë korrupsion se që hetohet, a është perceptim apo realitet, unë mendoj se është realitet. Çdo kund flitet për nivelin e korrupsionit të lartë, gjatë vitit të kaluar janë përfunduar 9 raste, prej tyre 5 lëndë me aktakuzë ku në të ushtrojnë profesionin 15 prokurorë”, shtoi ai.

Anëtarja e Komisionit Mbikëqyrës, Laura Pula ka prezantuar raportin vjetor të vitit 2018 të Komisionit mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik dhe planit të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

“Plani është i përberë në dy njësi për gjitha prokuroritë dhe për njësitin e prokurorisë në Prishtinë për departamentin e krimeve të rënda dhe departamentin e përgjithshëm”, tha ajo.

Pula ka treguar për lëndët gjatë vitit 2018 për veprat e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

“Në 2018 prokuroritë kanë pasur 303 kallëzime penale me 707 persona për vepra korrupsioni, në fund të vitit 2018 kanë mbetur 230 lëndë të papërfunduara ku 125.54% janë proceduar rastet e kallëzimeve të korrupsionit”, tha Pula.

“Në nivel vendi në gjitha prokuroritë për krime ekonomike është se nga 2017 deri 2018 kanë qenë 406 kallëzime penale, në 2018 janë pranuar 398 kallëzime 518 persona”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni njoftoi se sipas raportit që është sjell nga komisioni që ka udhëhequr zgjedhjet për anëtarë të Këshillit nga radhët e PSRK bëhet e ditur se është zgjedhur Prokurorja, Merita Bina-Rugova.

“Sipas raporti që ka sjellë komisioni i caktuar nga ana e këshillit për me udhëheq procesin, është zgjedhur prokurorja nga Prokuroria Speciale, Merita Bina-Rugova anëtare”, njoftoi Hyseni.

Kryetari i Komisionit Prokurorial, Arben Ismaili ka paraqitur procesin e zgjedhjeve për anëtar të Këshillit nga Prokuroria Speciale.

“Komisioni i zgjedhjeve më 25 mars 2019, ka mbajt procesin e votimit ku ne kemi filluar si komision procesin e votimit që kanë votuar të gjithë prokurorët, kanë qenë 4 kandidat, në rundin e parë nuk ka pasur fitues sepse nuk i kanë arritur votat e duhura, ndërsa në rundin e dytë kandidatja me më shumë vota ka qenë Merita Bina-Rugova me 8 vota, ndërsa Naim Abazi 7 vota”, tha Ismaili.

Kryesuesi Hyseni tha se mandati fillon pas dhënies së betimit të anëtares Bina-Rugova, ku kjo e fundit zyrtarisht bëri edhe betimin.

Në këtë mbledhje po ashtu u miratua Rregullorja për Administrimin dhe Ndarjen e Lëndëve në Prokurorin e Shtetit e cila ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e secilës prokurori.

Të ngjashme