Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi, në një konferencë për media ka deklaruar se nëse Këshilli Prokurorial i kërkon të japë dorëheqje, ai do ta pranojë një vendim të tillë, raporton Ekonomia Online.
“E kam shqyrtuar çështjen e shkarkimit dhe nëse Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson se e kam tajkaluar ligjin apo kam marrë ndonjë vendim kundër etikës, do ta pranoj. Mirëpo nuk do të marrë parasysh kërkesat e pabazuara të shoqërisë civile”, ka thënë Lumezi, i pyetur rreth protestës të paralajmëruar të mbahet sonte në mbrëmje.
Ai ka bërë të ditur se është zgjedhur prokurori i cili do të vazhdojë punën në zgjedhjen e çështjes së veteranëve, ndërkaq emri i të cilit është thënë se do të bëhet i ditur me kohë.
“Ju e dini që me vendimin tim në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar kemi vendosur që të fillojmë hetimet për veteranet e luftës. Pas fazës së grumbullimit të informacioneve me 7 maj është nxjerr aktvendimi për fillimin e hetimeve”.
“Ne sot kemi vendosur që një prokuror nga Prokuroria Speciale të vazhdojë në plotësimin e kësaj aktakuze. Sot është caktuar prokurori që do ta trashëgojë këtë lëndë dhe është bërë ekipi profesional që do të punojë”.
“Është e vërtetë që prokurori Blakaj i ka deklaratat dhe emrat e personave që kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshëm, mirëpo nuk i ka shënuar në aktin akuzues. Nuk është e vërtetë që unë kam thënë që nuk ka prova për rastin Pronto. Ne jemi një tru që konsultohemi për marrjen e vendimeve. Jemi dakorduar që ai rast të shkojë në gjykatë”.
Sot në orën 18:00 do të mbahet protesta ku do të kërkohet shkarkimi i Kryeprokurorit Lumezi dhe nisja e procesit të “vettingut” në drejtësi.