Lushaku: Dështimet e diplomacisë tregojnë se Kosova është shtet pa vizion të qartë

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Dështimet e njëpasnjëshme të diplomacisë kosovare po e shfaqin Kosovën si shtet pa vizion të qartë dhe të çorientuar, sipas Jehona Lushakut, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

Pas dështimit për pranim në Interpol të martën, Lushaku në Express Intervistën në KTV ka thënë se s’ka pas lobim të mirëfilltë për anëtarësim dhe se Kosova po tregon që s’po ruan aleancat me shtetet tjera.

“Duhet të analizojmë rezultatin final. Kosova dështoi në Interpol. Ky është rezultati final. Çka do që është bë tregon që nuk ishte e suksesshme. Ka arsye të shumta. Thuhet se është bë lobim, por besoj se lobimi është dashur të bëhet me kohë, me njerëz dhe shtete të duhura. Pasi që s’pati rezultat del që kjo s’ishte në mënyrën adekuate. Nuk ka pasur lobim të mirëfilltë me njerëzit dhe shtetet e duhura. Duhet të nënvizohet se është tragjike që fakti që Policia e Kosovës pavarësisht rezultateve të veta nuk po anëtarësohet. Sepse politikat nuk ishin adekuate. Jemi si shtet shumë të çorientuar dhe po merremi me shumë procese njëkohësisht”, ka thënë ajo duke shtuar se përgjegjësia bie totalisht mbi politikën kosovare.

Sipas saj, dështimi në Interpol është edhe më tragjik se ai i disa vjetëve më herët në UNESCO. Ajo ka thënë se tragjike mosanëtarësimin në Interpol e bën fakti se Policia e Kosovës, si institucioni më me kredibilitet brenda shtetit, nuk po anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Lushaku ka shtuar se Kosova duhet të mirëmbajë aleancat me shtetet që kanë njohur vendin dhe të mos presë përkrahje ad-hoc nga to në çdo proces që i duhet vendit. Këtu ka përmendur edhe çështjen e korrigjimit të kufijve duke thënë se s’mund të presësh “përkrahje kur vetë ke hapur çështje që prekin shtetësinë tënde”.

Sa i përket përballjes me Serbinë, Lushaku ka thënë se Serbia po përmbush strategjinë e vet teksa Kosova është në pozitën më të dobët ndonjëherë si shtet. Ka thënë se Kosova duhet të përgatitet për përballje me Serbinë, njëjtë siç përgatitet ajo për të luftuar çdo proces ndërkombëtar të Kosovës. Krejt këto, sipas Lushakut, po tregojnë se Kosova është shtet pa vizion të qartë.

“Dyshoj që me gjithë këto dështime, Kosova është në pozitën më të dobët që ka pasur ndonjëherë si shtet. Me hap tema të shtetësisë, kufijve, me hap çështjen e pajtimit e vetë Serbia para një jave tha se s’ka pas gjenocid në Bosnjë. Kanë qasje radikale e ne jemi të gatshëm të hyjmë në kompromise me ta pa pas strategji e po kemi dhjetëra humbje në këto vjet”, ka shtuar ajo.

Kosova është pa vizion të qartë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, sipas Lushakut. Ajo ka thënë se edhe pse Bashkimi Evropian ka kërkuar haptas ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosova nuk po arrin ta bindë për liberalizim edhe pse e ka përmbushur këtë kriter të fundit.

“Liberalizimi prapë sfidë për diplomacinë për të dëshmuar se kriteret janë përmbushur në të vërtetë dhe ne jemi të denjë të vazhdojmë t’i implementojmë edhe pas liberalizimit. Por ka mosaftësi të diplomacisë që të vërtetojnë se ligji dhe rendi janë siç duhet. Ata kanë dyshimet e veta nëse Kosova po implementon ato kritere. Duhet të studiohet pse s’po bëhet kjo. Pse s’po arrijnë liderët tanë që të bindin BE-në për të çuar tutje liberalizimin. Nëse në mes të parlamentit Federica Mogherini ka thënë aprovojeni marrëveshjen, e tre përfaqësues të BE-së kanë thënë aprovojeni demarkacionin e ne do të ecim më shpejtë me vizat e tash kjo s’po ndodh. S’po ndodh në presidencën e Austrisë, një prej miqve kryesorë. Ka shtete mike që s’e përkrahin liberalizimin. Në bazë të Eurostatit, Kosova është dhjetë herë më pak se dy vjet më parë në imigrim, por fakti është se s’po arrijmë t’i bindim. Kjo tregon dështimin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme