Lushtaku kërkon nga politikanët e Shqipërisë t’i lënë akuzat për krimet e luftës

Prishtinë | 15 Nën 2020 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i PDK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku ka kërkuar nga politikanët e Shqipërisë t’i lënë marrëzirat për akuzat për krimet e luftës.

Ka thënë se asnjë politikan shqiptar nuk ka ardhur në Kosovë për të qenë afër shqiptarëve të Kosovës në kohën kur Gjykata Speciale ka arrestuar figurat kryesore të UÇK-së.

I ftuar në ABC për të folur rreth luftës çlirimtare në Kosovë dhe gjykatës së Hagës, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së ka komentuar edhe akuzat që janë bërë në Shqipëri në drejtim të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Lushtaku u shpreh se mendon që politikanët shqiptarë duhet t’i lënë pas ato që ai i quajti marrëzira dhe të jenë më aktiv dhe më pranë Kosovës në këtë kohë.

Po ashtu, ish-komandant i UÇK-së theksoi se ka pritur që politikanë apo një pjesë e institucioneve të qeverisë të shkojnë në Kosovë, dhe të takohen me ta, por kjo nuk ka ndodhur.

Linda Karadaku: Këtu në Shqipëri ka pasur disa akuza ndaj kreut të PD, Lulzim Basha për punën në UNMIK dhe në përpilimin e dosjeve të gjykatës së Hagës, keni një koment për këtë?

Sami Lushtaku: “Unë mendoj që politikanët shqiptarë duhet t’i lënë këto marrëzira dhe të jenë më aktivë dhe më afër nesh në Kosovë. Deri më tani asnjë politikan nuk ka ardh në Kosovë që ta bashkëndjejë këtë që i ka ndodh kryetarit të shtetit…Kam prit që një pjesë e institucioneve të qeverisë së Shqipërisë të vijnë në Kosovë, të takohet me ne, dhe deri më tani nuk ka ndodhur. Desha me falenderu, Ervin Salijanin që ishte në Kosovë, e kam prit unë, kemi shkuar tek Varrezat e Dëshmorëve. Dhe desha ta falenderoj që ka ardh e na ka ngushëllu…” s.b/abcnews.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme