Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se partia e tij ka ofruar si opsion legjitimitetin para se ta shkohet në dialog.
Ndërkaq u ka bërë thirrje partive politike në pushtet që të unifikojnë vendimet e tyre, raporton Ekonomia Online.
Haziri në konferencën Zëri i Popullit rreth “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka kërkuar nga partnerët e koalicionit që të ketë një qëndrim për dialogun e mos të dalin me gjashtë opsione.
“Nëse flasim për të vdekurit dhe për të gjallët që flasin për toka tregojnë për çfarë pozite politike jemi sot. Shantazhi politik është mjeti i fundit që po përdorët në skenën politike”.
“LDK dialogut nuk i jep opsion, ai është i vetmi mjet politik që jep zgjidhje, ai duhet të ndërtohet mbi parime. Legjitimitetin para dialogut ne e kemi kërkuar që nga viti kaluar”.
“Sa herë qe flisnim për legjitimitet, gjithmonë përmendeshin numrat. LDK ka ofruar edhe opsionin e dytë, legjitimitetin dhe dialogun dhe rishikim të plotë të strukturës së dialogut”.
“Ju lus që partitë në Qeveri të mbyllen në zyret e tyre dhe ta mbyllin zhurmën politike të tyre sepse nuk munden me ardhur me 6 opsione”.
“Sepse kur janë bashkë vijnë me një qëndrim kur janë vet vijnë me qëndrime të ndryshme. Legjitimiteti dhe dialogu është oferta e fundit që zgjidh problemet madhore dhe jo vetëm dialogun me Serbinë”.
Në këtë konferencë u tha se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në formatin aktual. Kurse 30 për qind e qytetarëve janë për shkëmbim territoresh në këmbim të njohjes nga Serbia.
Haziri tha se nuk janë të interesuar të japin territor, por duan ta marrin Luginën.
“Unë Si Lutfi Haziri problemin me Serbinë mendoj që është territorial, unë nuk jam me ju dhënë territor, por ne duhet ta marrim Preshevën, Medvegjen e Bujanovcin”.
“Nuk japim të drejtë për me dhënë territor, por nuk mund t’i injorojmë kërkesat e shqiptarëve në juglindje. Nuk ka vullnet politik nga PDK dhe AAK për me ndërtuar konsensus politik”.