LVV dorëzon ankesë në PZAP, kërkon anulimin e vendimit për certifikimin e Listës Serbe

Prishtinë | 02 Jan 2025 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dërguar sot ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku kundërshton certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Nga kjo parti kanë potencuar se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ditë më parë në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje.

“Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi. Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe, sipas njoftimit të LVV-së ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq.

“Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin. Institucionet e pavaruara të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”.”, thuhet në komunikatën e kësaj partie të postuar në Facebook, bashkangjitur dhe ankesën e përcjellë në KQZ.

Të ngjashme