Në kohën për deklarime jashtë rendit të ditës gjatë seancës plenare, Albulena Haxhiu, në emër të LVV-së, i bëri thirrje opozitës që të bashkohen për rrëzimin e qeverisë Haradinaj pasi që përmendi një sërë arsyesh për rrëzim të saj.
Ajo tha se kryeministri Haradinaj ia rriti pagën vetes, me ç’rast bëri krahasime me pagat e gjithë kryeministrave në tërë rajonin.
“Në muajin shkurt të këtij viti, kjo qeveri e pakicës, kjo qeveri shërbyesve civilë ua rriti pagat vetëm 4 për qind, pra nga 400 në 416 euro, ndërsa kategorive të ndihmave sociale 20 për qind dhe në anën tjetër kundërshtoi propozimin e këshillit ekonomik social për ngritjen e pagës minimale nga 170 në 250 euro”.
Deputetetja Haxhiu bëri krahasime mes të hyrave vjetore të një familjeje me ndihmë sociale dhe të hyrave të kryeministrit, të cilat sipas llogaritjeve të saj, janë 100 fish më shumë, raporton Ekonomia Online.
“Shtrohet pyetja a është ndihmë sociale 90 euro në muaj, pra dikush që nuk ka as prona, as të ardhura në familje i merr 90 euro në muaj, ndërsa kryeministri 3 mijë euro. Si mund t’iu shërbejë këtyre personave ky kryeministër. Të hyrat vjetore të një familje me ndihmë sociale janë 1080 euro, ato të kryeministrit, sipas deklarimit të fundit të pasurisë, janë mbi 100 mijë euro, pra njëqind fish më shumë sesa një familje që jeton me ndihma sociale. Derisa shërbyesve civilë ua rritën pagën 4 për qind, kategorive sociale 20 për qind, vetes ia ngritën 100 për qind”.
Sipas Haxhiut, me këtë qeveri çdo ditë po ndodhin skandale.
“Me këtë qeveri duket se e keqja po normalizohet, çdo ditë po ndodh nga një skandal tjetër, duke përfshirë këtu edhe skandalin e largimit me dhunë të një zonje në Prizren. Kjo Qeveri e pakicës për t’u ndalur duhet të rrëzohet me votë këtu në Kuvend. Andaj në emër të LVV-së duhet të theksoj se për ta bërë këtë na duhet një bashkim opozitar, po ashtu edhe qytetarë për t’i ndalur dëmet e kësaj Qeverie”.