Dy subjektet politike që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në kuadër të diskutimeve që kanë pasur gjatë ditëve të kaluara janë pajtuar që të mbyllet Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Në bazë të dakordimeve, kjo Agjenci në të ardhmen do të funksionoj në kuadër të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast vazhdimi i procesit të privatizimit do të jetë në kuadër të kompetencave të ekzekutivit, e jo të një Agjencie të pavarur që i ka raportuar Kuvendit.
Portali “Front Online” ka kontaktuar drejtuesit e këtyre dy subjekteve politike për ta konfirmuar nëse janë pajtuar për mbylljen e AKP-së, por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, siç kanë thënë deri në përfundimin e negociatave që janë duke i zhvilluar për koalicionin e ri qeverisës.
Procesi i privatizimit është kritikuar vazhdimisht nga drejtuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila ka dalë fituese e zgjedhjeve të fundit, me arsyetimin se nuk ka dhënë efekt në zhvillimin ekonomik të vendit, përderisa drejtuesit e saj kanë marrë paga të majme, deri në 5000 euro në muaj.