LVV-ja thotë se nuk pati asnjë skandal korruptiv – këto janë aferat që bënë bujë për dy vite

Prishtinë | 14 Shk 2023 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Sot dy vjet u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Ashtu edhe siç pritej për shumë arsye, Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke prirë bindshëm ndaj partive të tjera.

Subjekti politik i Albin Kurtit mori 50.28 për qind të votave të kosovarëve. Por, edhe pas dy vitesh, LVV-ja në mënyrë të çuditshme dhe qëllimisht duke tentuar të manipulojë me publikun, thotë se nuk ka pasur asnjë skandal korruptiv, raporton Paparaci.

Kjo do të mund të ishte e vërtetë po qe se nuk do të shpaloseshin dhe denoncoheshin faktet në publik tash e mbi 20 muaj.

Paparaci iu sjell disa nga skandalet korruptive që kanë ndodhur në kohë kur me qeverinë udhëheq kryeministri Albin Kurti.

1. Krimi i pushtetit me punësime në KEK 

Në një konkurs gjatë vitit të kaluar, – i cili më pas u anulua më të drejtë – kishte vënë në pah nepotizmin që partia në pushtet e kishte përdorur për t’i rehatuar zyrtarët partiakë e familjarët e vetë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas një hulumtimi, punësimet familjare e partiake në atë konkurs kishin komprometuar procesin e rekrutimit.

Anëtarët e Komisionit vlerësues kishin pranuar në punë djem e vëllezër të tyre. Rasti më i rëndë ishte ai i punësimit të djalit të zyrtarit kryesor të Auditimit, Ismet Vrapçani.

Në këtë konkurs në të cilin ishin pranuar 128 persona, shumica qenë familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të partisë në pushtet. Në konkurs patën aplikuar plot 4668 persona.

Dëshmitë që u publikuan patën vendosur në lëvizje Prokurorinë Themelore në Prishtinë e cila inicioi hetime ndaj procesit.

  1. Afera financiare e ambasadorit Berishaj

Kishte raportuar se diplomati Martin Berishaj, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.

Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.

Kësisoj, Berishaj është i implikuar në një aferë të madhe financiare që ndërlidhet edhe me mafinë energjetike në Ballkan.

Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.

Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.

Megjithëkëtë, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes.

  1. Rreth 100 mijë euro të shtetit për organizatën e bashkë-themeluar nga ministri

Kishte raportuar më 23 gusht të 2022’s se ministria e Kulturës e pati shpërblyer me 95 mijë euro një organizatë jo-qeveritare, të cilën e ka bashkëthemeluar ministri i këtij dikasteri qeveritar, Hajrulla Çeku.

Nga organizata “Fondacioni Lumbardhi” kanë mohuar një implikim të mundshëm të Çekut në ndarjen e mjeteve për OJQ-në. Njëjtë kishte vepruar edhe MKRS-ja.

  1. Afera Liburnia

Kjo aferë shpërfaq ryshfet e që dyshohet se lidhet me ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu.

Nëpërmjet emisionit Ditari i Buzhalës, u publikuan përgjime që e përfshijnë këshilltarin e Aliut, Florent Ramqaj.

Aty përmendej 30 mijë euroshi ryshfet për të çuar email tek autoritetet se janë kryer punët.

  1. Keqpërdorim i 1.1 milion eurove

PDK-ja kishte akuzuar se dy ministrat e Kurtit, Donika Gërvalla e Fitim Damka janë të përfshirë në rast.

Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës dyshohet se po shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro.

Edhe për këtë, Prokuroria Speciale doli e njoftoi se kanë nisur hetimet. Nga të apostrofuarit, edhe Gërvalla edhe Damka e mohuan se është keqpërdorim.

  1. Vendimi i jashtëligjshëm që preku xhepin e qytetarëve

Tarifat e shtrenjta të rrymës ishin vendosur nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga qytetarët e vendit.

E për këtë çështje, Gjykata e Apelit e vërtetoi se ishte vendim i jashtëligjshëm. Kjo çështje ka mbetur e pezulluar.

Megjithatë, autoritetet nuk tregojnë nëse qytetarëve do u kthehen paratë.

Këto janë disa nga skandalet korruptive që kanë karakterizuar Qeverinë Kurti në këto dy vite, pa përfshirë edhe punësimet e tjera militanteske nëpër institucione, ministri, agjenci e ndërmarrje publike. Lista do të ishte edhe më e gjatë me to, gjithsesi.

Po ashtu, nuk janë të përfshira dhjetëra tenderë një-burimor të dhënë nga ministria e Infrastrukturës, e as shkeljet e shumta ligjore e kushtetuese nga zyrtarët qeveritarë.

Kur e mori detyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në seancën e parë konstitutive në Kuvend, më 22 mars 2021, thoshte se ishin aty “për të jetësuar vullnetin e qytetarëve”.

Nuk dihet nëse dhe pas dy vitesh është jetësuar ky vullnet, marrë parasysh krizën ekonomike dhe dëshpërimin e qytetarëve karshi pushtetit për mos-punë e skandale të shumta.

Të ngjashme