Sot, aktivistë të Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, zhvilluan një aksion simbolik përmes të cilit adresuan çështjen e papastërtisë në gjithë Komunën e Prishtinës, përmes ekspozimit të fotografive të deponive të vogla e të mesme në lagjet e fshatrat e Prishtinës.
Sipas njoftimit, asambleisti Mirsad Vitia tha se edhe pse ky ka qenë prioritet në fushatën zgjedhore të vitit 2017, gjendje në Komunën e Prishtinës sa i përket mbeturinave po shkon duke u përkeqësuar.
“Asambleja Komunale u zhbllokua, inkasimi tashmë po bëhet direkt nga Komuna dhe meqë është lidhur me tatimin në pronë dhe kushtëzohet me regjistrim të veturave, llogaritet që inkasimi është i rregullt. Nuk ka as edhe një arsye që Prishtina të vazhdojë të mbetet e mbuluar nga mbeturinat” tha ndër të tjera Vitia.
Aktivistja Teuta Hasani-Ahmeti tha se premtimet për Prishtinë të pastër përfshinin një planifikim logjistik dhe koordinim të orarit të mbledhjes së mbeturinave si dhe reforma në faturim.
“Edhe sot ë kësaj dite, mbeturinat mblidhen gjatë ditës dhe të shpeshta janë rastet kur shkaktohen kaos në trafik, anipse ishte premtuar që kjo të bëhet gjatë mbrëmjes. Poashtu faturimi nuk ka ndryshuar fare dhe nuk ka klasifikim në këtë aspekt fare” theksoi Hasani-Ahmeti.
Në fund aktivistët e Lëvizjes pastruan borën nga shkallët në sheshin Adem Jashari I cili është vetëm 30 metra afër Komunës.