Protestat e “jelekëve të verdhë” u kthyen në trazira të shtunën dhe në përleshje nëpër rrugët e kryeqytetit francez. Presidenti francez, Emmanuel Macron ndërpreu pushimin e fundjavës dhe paralajmëroi masa të rrepta.
Qeveria franceze ka marrë që nga nëntori masa të forta kundër prishësve të rendit e qetësisë. Por dhuna e së shtunës tregoi, se ato nuk mjaftojnë, theksoi presidenti Macron. Do të ketë vendime të forta shtesë, tha ai. Macron e kishte ndërprerë një pushim për ski në Pirene dhe ishte kthyer të shtunën në Paris. Në bulevardin Champs-Elysées, disa protestues me gurët e kalldrëmeve kanë qëlluar xhamat e dyqaneve, restoranteve dhe kafeneve. Sende të vjedhura u hodhën në barrikada që digjeshin, ndërkohë që dëgjoheshin thirrjet “revolucion” dhe “ky është apokalipsi”. 11 vetë u lënduan. Sipas policisë franceze u ndaluan 200 vetë.
Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner i cilësoi zjarrvënësit si vrasës. Disa pjesëmarrës në protesta me sa duket kanë ardhur për të shkatërruar. Sipas tij ka një grupim prej 1500 vetësh ultra të dhunshëm. Kjo ishte fundjava e 18-të me radhë e të ashtuquajturve “jelekët e verdhë” që protestojnë në të gjithë vendin kundër politikës së reformave të presidentit Emmanuel Macron. Së fundmi numri i protestuesve ka rënë ndjeshëm.