Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mbërritur në Uashington për një vizitë triditore, gjatë së cilës do të vihen në provë marrëdhëniet e tij të mira personale me Presidentin amerikan Donald Trump.
Macron do të përpiqet të ndikojë tek presidenti Trump për çështje të tilla me rëndësi siç janë Siria, Irani, apo tregtia, pas një viti gjatë të cilit është shpenzuar mjaft kapital politik, por me pak përfitime.
Presidenti Macron do të përpiqet të bindë Trumpin rreth nevojës për të mbajtur një prani amerikane në Siri edhe pas disfatës së terroristëve të Shtetit Islamik si dhe për ta përjashtuar Bashkimin Europian nga tarifat e reja të aluminit dhe çelikut.