“Maestro i humanizmit”: Vdes kirurgu italian që ndërtoi spitale në zonat e luftës, Gino Strada

Prishtinë | 14 Gus 2021 | 08:27 | Nga Ekonomia Online

Nderime të shumta janë shprehur për Gino Strada-n, kirurg italian i quajtur edhe “maestro i humanizmit”, i njohur për themelimin e spitaleve të klasit botëror për viktimat e luftës, i cili vdiq në moshën 73-vjeçare.

Raportohet se mjeku i njohur vdiq të premten në Francë. Në vitin 1994, ai ishte njëri ndër themeluesit e organizatës humanitare “Emergency”, e cila për qëllim e kishte ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor falas për të lënduarit në konflikte.

Rossella Miccio, shefe e organizatës “Emergency”, tha se lajmi për vdekjen e mjekut ka ardhur si shok. “Askush nuk ishte duke e pritur këtë. Jemi të tronditur dhe të shqetësuar. Është një humbje e madhe për tërë botën. Ai bëri gjithçka që mundi për ta bërë botën vend më të mirë. Do të na mungojë jashtëzakonisht”, tha ajo.

I trajnuar për transplantimin e zemrës dhe të mushkërive, Strada nisi një mision për t’i mjekuar ata që u prekën nga disa prej konflikteve më të përgjakshme dhe më të pakontrollueshme, përfshirë ato në Afganistan, Irak dhe Jemen, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Organizata “Emergency” e kishte nisur punën në Ruandë gjatë gjenocidit dhe thotë se ka trajtuar mbi 11 milionë njerëz në 19 shtete. Ajo tash për tash operon në Afganistan, ku ka një qendër kirurgjike të njohur botërisht, Eritrea, Irak, Sierra Leone, Ugandë, Jemen, Sudan dhe Itali.

“Nëse e mendon mjekësinë si të drejtë të njeriut, atëherë nuk mund të kesh disa spitale që ofrojnë mjekësi të sofistikuar, shumë efektike e të teknologjisë së lartë e pastaj të shkosh në Afrikë dhe të mendosh, “Në rregull, këtu janë ca vaksinime dhe disa doza. A mendojmë se ne, qeniet njerëzore, jemi të gjithë të barabartë në të drejta dhe dinjitet apo jo? Ne themi se po”, kishte deklaruar kirurgu i njohur më 2013.

Të ngjashme