Maestroja në violonçel rikrijon Dvořákun me elegancë filigranike

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Nëse çdo interpretim i një vepre është njëfarë rikrijimi më vete, atëherë rikrijimi i Victor Julien-Laferrière duhet të jetë ndër më të pasurit. Është mjeshtër i një prej veprave identifikuese të Antonín Dvořák, “Koncertit për violonçel”. Bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës kanë zbërthyer me elegancë filigranike kryeveprën e këtij kompozitori. Filharmonia ia ka qëlluar edhe me dirigjentin Peter Valentovič. “Simfonia Nr. 9” nga po ky kompozitor ka qenë një kapitull tjetër, e ai i kushteve në sallë, është çakordimi i përhershëm

S’është thjesht një solist virtuoz, por një rrëfimtar emocional. Duket të jetë i lindur për violonçel. Filharmonia e Kosovës ia ka qëlluar fort kur është përcaktuar ta ftojë dhe ia ka dalë ta ketë në Prishtinë francezin Victor Julien-Laferrière. Bëhet fjalë për një prej emrave elitarë bashkëkohorë. Instrumentisti i ri Julien-Laferrière është mjeshtër i një prej veprave identifikuese të Antonín Dvořák, “Koncertit për violonçel”.

Nëse çdo interpretim i një vepre është njëfarë rikrijimi më vete, atëherë rikrijimi i Julien-Laferrière duhet të jetë ndër më të pasurit. Filharmonia ia ka qëlluar edhe me dirigjentin Peter Valentovič. Por, e kushtëzuar me mungesë hapësirash, ia ka huqur rëndë me vendin që është Atelie e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Solisti zor të ketë interpretuar, e edhe më zor do t’i bie të interpretojë në një vend më të shkretë.

Shtathedhur dhe me elegancë të natyrshme, Victor Julien-Laferrière e nisi rrëfimin muzikor bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës me një kujdes filigranik. “Koncerti për violonçel” përfaqëson kulmin e krijimtarisë së Antonín Dvořák, ku ka një bashkim të stilit evropian me ndikime të lehta nga modernizmi shumë i diskutuar për fundin e shekullit XIX, kur edhe u kompozua. Rreth 40 minuta vepër, me tri kohë, shquhet për balancë të përkryer mes solistit dhe orkestrës, melodi të pasura dhe emocionale. Ka një hyrje orkestrale madhështore, me energji të lartë dhe dramatizëm, për t’u lëshuar më pas te tema lirike. Kur vjen radha e solistit, ai zhvillon temat me pasuri shprehëse dhe dialogon vazhdimisht me orkestrën. Tensioni dramatik është i pandashëm. Por mjeshtëria tregohet në kohën e dytë, që përshkruhet edhe si zemra e veprës për shkak të karakterit intim, poetik dhe reflektiv. Literatura muzikore këtë pjesë e lidh me një ndjesi të thellë të kompozitorit, por edhe pa atë rrëfim, toni i ngrohtë dhe nostalgjik bën që publiku të hyjë në një përjetim të veçantë. Në fund rikthehet energjia bashkë me karakterin heroik.

Ngjyrimet që nxjerr Victor Julien-Laferrière janë të tilla që karakterin e veprës e sjellin të plotë para publikut. Normalisht, aq sa lejon Atelieja e Pallatit të Rinisë, që nuk është as për muzikë me DJ. Fitues i disa konkurseve prestigjioze, Victor Julien-Laferrière, përmes tingujve të tij, ka nxjerrë shpirtin e veprës me dramën dhe lirizmin e pasur që e karakterizon këtë kompozim, i cili konsiderohet edhe si një nga koncertet më të mëdha për violonçel të shkruara ndonjëherë dhe një shembull i përkryer i Romantizmit të vonë.

Solisti Victor Julien-Laferrière, pas koncertit, ka thënë se është gjithmonë e veçantë të takojë muzikantë me të cilët nuk ka luajtur më parë dhe t’i njohë pak, të mësojë se ku kanë studiuar dhe me kë, si dhe të jetë në një vend ku nuk ka qenë më herët.

“Vepra është ndër më të veçantat për çelo dhe orkestër. Gjithmonë është shumë e rëndësishme për t’u luajtur. Është po ashtu gjë e mirë të bashkëpunosh me orkestrën. Nganjëherë solisti dhe orkestra sikur janë të ndarë, por në këtë rast jo, pasi është një vepër shumë e pasur”, ka thënë ai. Instrumentisti është sjellë në Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Prishtinë. Në shenjë respekti dhe nderimi ndaj kontributit të tij në art e kulturë, Filharmonia e Kosovës i ka ndarë mirënjohje ambasadorit Olivier Guérot gjatë mbrëmjes, pak muaj para se ai të përfundojë mandatin si kryediplomat francez në Kosovë.

Pas një pauze të shkurtër të “Koncertit për violonçel”, erdhi radha e “Simfonisë Nr. 9” të të njëjtit kompozitor. Është një nga veprat më të njohura dhe më të interpretuara të repertorit simfonik në botë. Përsëri lidhet me qëndrimin e kompozitorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqëson një bashkim të stilit evropian me frymëzime nga kultura muzikore amerikane, veçanërisht nga shpirti afro-amerikan. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte në krye të detyrës. Nën dirigjimin e sllovakut Peter Valentovič, vepra gjatë interpretimit nxori në pah karakterin e saj me orkestrim të pasur e shumëngjyrësh dhe ndjesinë e një udhëtimi në kohë dhe kërkim identiteti. Literatura muzikore e përshkruan si reflektim artistik mbi “Botën e Re”, por gjithashtu edhe si nostalgji të fortë për vendlindjen e kompozitorit, Çekinë. Energjia dhe dramatizmi shpërthejnë në fillim, për t’i dhënë frymë situatës në kohën e dytë, kur hyjnë në lojë kornot. Vepra lëviz sipas ritmit të temës për të arritur një unitet sa kompleks, aq edhe të bukur. Përfundimi është tejet madhështor dhe triumfues.

Dirigjenti Peter Valentovič e ka përshkruar krejt mbrëmjen si të veçantë.

“Kjo muzikë është e mahnitshme dhe kishim një çelist tejet të njohur i cili ka luajtur shumë, por edhe ka dirigjuar. ‘Koncerti për çelo’ është ndër veprat madhore të Dvořák dhe është muzikë shumë e bukur, por jo e lehtë. Kemi bërë prova dhe fakti që solisti edhe dirigjon na ka ndihmuar shumë”, ka thënë ai. Simfoninë po ashtu e ka parë si vepër madhore.

“Është moderne edhe sot madje. Jam shumë i lumtur që kishim mundësi ta luajmë për publikun në Kosovë këtë muzikë. Orkestra bëri punë të madhe dhe kishte përqendrim të madh. Jam vërtet i lumtur për atë që kemi bërë”, ka thënë ai për koncertin ku kësaj radhe koncertmjeshtër ishte Festim Fanaj.

Por ky koncert është prekur në thelb për shkak të kushteve ku është mbajtur. Atelieja e Pallatit të Rinisë as nuk do të duhej të imagjinohej për një mbrëmje të tillë muzikore. Improvizimet që ka lënë shfaqja e baletit “Zëri i saj” – një bashkëpunim ndërinstitucional – janë shfrytëzuar edhe nga Filharmonia. Salla e Kuqe është në renovim të pjesshëm dhe e pashfrytëzueshme. Improvizimi i skenës s’është adekuat për koncertin, dhe i gjithë ambienti mbetet me një zymtësi në të gjitha aspektet. S’është e krahasueshme, por ambiente më të mira koncertore kanë pasur instrumentistët që në qershor të vitit 1994 kanë interpretuar Simfoninë e 7-të të Shostakoviçit nën rrënojat e Sarajevës, ende nën rrethim.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se në këtë sezon kanë pasur disa koncerte të cilat u janë dedikuar kryeveprave të një kompozitori të rëndësishëm. Sipas tij, kësaj radhe janë kthyer te “Koncerti për violonçel” dhe “Simfonia Nr. 9”.

“Të dyja bashkë janë edhe sfiduese për Orkestrën, por edhe të shëndetshme në të njëjtën kohë. Çelisti është një nga instrumentistët që është prioritet për Filharmoninë që ta kemi. Por nuk është në sinkron me atë që kemi ofruar për të në aspektin e infrastrukturës. Më vjen keq që, pavarësisht se Filharmonia edhe në paraqitjet e saj ndërkombëtare ka dëshmuar se mund të jetë një orkestër solide dhe konkurruese në rajon, vazhdon të operojë në kushte të cilat janë tashmë në nivelin e të padurueshmes”, ka thënë ai.

Ka shtuar se shpreson që nga shtatori do të ketë një vëmendje më të madhe përgjithësisht për krejt skenën e muzikës në kryeqytet.

“Kudo në hapësirat që improvizohen ballafaqohemi me probleme të pazakonta. Më vjen mirë që orkestra, pavarësisht kushteve, ka arritur t’i sjellë veprat në një nivel që konsideroj se është i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh faktin se 50 për qind e punës së tyre humbet për shkak të kushteve në të cilat veprojnë”, ka thënë ai.

Filharmonia e Kosovës është qiraxhi në Pallatin e Rinisë. As Salla e Kuqe nuk është ideale për një koncert si ai i së premtes. Por të paktën është një zgjidhje pak më e mirë. Kaq mjafton kur para publikut është Victor Julien-Laferrière me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. /KOHA

Të ngjashme