Kur trajneri Bledi Shkëmbi, arriti marrëveshje me skuadrën e Lirisë para fillimit të këtij edicioni në Vala Superligën e Kosovës, ai në Prizren mori edhe një “kontingjent” të futbollistëve nga Shqipëria për ta forcuar ekipin.
Në mesin e lojtarëve që trajneri Shkëmbi mori me vete në Kosovë, është edhe sulmuesi Artur Magani, shkruan Koha Ditore.
23-vjeçari la Teutën e Durrësit, ekip ku u aktivizua në dy edicionet e fundit dhe shënoi 12 gola në Superioren e Shqipërisë për të nisur një aventurë te re në Superligën e Kosovës.
Për Maganin, kjo është dalja e parë si profesionist nga futbolli i Shqipërisë. Ai deri më tani, me fanellën e Lirisë ka realizuar katër gola, përfshirë edhe golin e vetëm në fitoren e fundit që ekipi i Prizrenit e regjistroi në shtëpi ndaj Prishtinës.