Mali i Zi notë proteste Shqipërisë për ndotjen e lumit Buna

Prishtinë | 12 Tet 2019 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Bregu i lumit Buna për rreth tre kilometra nga grykëderdhja e deri në fshatin Reç në pjesën e Malit të Zi është i mbushur me pula dhe kafshë të ngordhura. Pala malaziase akuzon se pulat dhe kafshët e ngordhura janë nga Shqipëria.

Siç bëjnë me dije autoritetet e Malit të Zi, janë mbi 100 qese, që brenda tyre ishin pula të ngordhura, çka ka bërë që të ngrihet alarmi për ndotjen e lumit Buna, shkruan sot Koha Ditore.

Ndotja e lumit të Bunës, ka bërë që pala e Malit të Zi t’i dërgojë një notë proteste Shqipërisë, duke i kërkuar kësaj të fundit që të marrë masa. Në një njoftim për mediet, Qeveria e Malit të Zi ka bërë me dije se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka ngritur alarmin tek pala shqiptare për ndotjen mjedisore të lumit Buna, duke theksuar se po prishen destinacionet turistike që ndodhen në këtë shtet.

Në përputhje me politikën e fqinjësisë së mirë, Qeveria e Malit të Zi bën me dije se në komunikim të vazhdueshëm me palën shqiptare, vazhdimisht ka insistuar në zbatimin e të gjitha konventave ndërkombëtare, duke bërë thirrje për kujdes të përbashkët për burimet. Prandaj, pala malaziase është e detyruar të informojë të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë, të cilat do të bëhen në një procedurë zyrtare emergjente.

Për të parë nga afër situatën e krijuar kanë dalë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë në Qeverinë e Malit të Zi. Drejtoresha e Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në Mal të Zi, Vesna Dakoviq, është shprehur se është e qartë se ky është një problem ndërkufitar për faktin se në pjesën e Malit të Zi në një territor të gjerë nuk ka ferma kafshësh e as pulari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme