Nënkryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Ivan Saveljic, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se Mali Zi po investon në rregullim të infrastrukturës në mënyrë që të kenë më shumë turistë nga Kosova.
“Mali i Zi synon që me zhvillimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës, edhe rrugore, të ketë edhe më shumë turistë nga Kosova. Tradicionalisht turistët nga Kosova kanë qenë të mirëpritur në Mal të Zi dhe të inkorporuar mirë në ofertën turistike”, tha ai.
Ndërkaq ai tha se qëllimi kryesor i Odës Ekonomike të Malit të Zi është heqja e barrierave ekonomike me vendet e rajonit duke investuar në Infrastrukturë dhe në komunikim të ndërsjellët.
“Sektori ku bashkëpunimi ynë është më i mirë me Kosovën është tregtia, gjithmonë, është në vend të parë. Ne po mundohemi që nëpërmes zhvillimit të infrastrukturës dhe komunikim më të mirë, që është problem jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet e tjera në rajon, ta ndryshojmë këtë, duke ofruar shërbime dhe kushte më të mira. Kjo do të ishte në dobinë e të gjithëve”, tha ai.
Ai theksoi se ndër barrierat kryesore që e karakterizon bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, janë disa nga rregulloret e CEFTA-s.
“Janë disa rregullore doganore, rregullore të CEFTA-s, për të cilat rëndom ka ankesa. Konsideroj se këto rregullore duhet të harmonizohen gjatë procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit”, tha ai, raporton Ekonomia Online.