Malisheva strehon disa familje të prekura nga tërmeti

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Rreth 70 persona që vijnë nga zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri janë akomoduar në Malishevë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Komuna e Malishevës ka njoftuar se të gjitha familjet janë akomoduar në disa familje në qytet dhe fshatra dhe se sot janë vizituar edhe nga zyrtarët komunal të Malishevës.

Gjatë vizitave në këto familje, përgjegjësit komunal të Malishevës, janë njoftuar me gjendjen e tyre dhe nevojat që ata kanë, si dhe janë evidentuar të gjithë personat që po qëndrojnë këtu.

“Komuna e Malishevës, brenda mundësive dhe kompetencave, do të kujdeset për të gjitha familjet. Banorët e Komunës së Malishevës, kanë hapur dyert për të gjithë ata që kanë nevojë të qëndrojnë në vendin tonë, për aq sa ata kanë nevojë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, mëngjesin e së martës, Shqipëria u godit nga një tërmet 6.4 ballë me epiqendër në Durrës. Nga ky tërmet deri më tani kanë humbur jetën 49 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.

Dy nga viktimat ishin nga Kosova. Isa dhe Shemsedin Abazi mbetën të vdekur në rrënojat e njërit nga hotelet e Durrësit.

Qeveria e Kosovës për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar ka dërguar një kontingjent të policisë dhe ushtrisë, si dhe po ashtu ka ndarë një fond prej 500 mijë euro.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme