Manastiri i Deçanit njofton për vizitën e Escobar dhe Hovenier

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Gjatë vizitës disaditore në Kosovë, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën e ka vizituar edhe manastirin e Deçanit.

Ai u prit nga ipeshkvi i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije dhe igumeni i manastirit, arkimandriti Sava.

Manastiri ka kumtuar mbrëmë vonë se ishte një mundësi e rëndësishme për të diskutuar mbi “sfidat me të cilat përballet Kisha Ortodokse Serbe dhe komuniteti serb i Kosovës”.

“Ne i jemi mirënjohës të dërguarit të Departamentit të Shtetit Escobar dhe ambasadorit Hovenier për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre të vazhdueshëm”, kanë pretenduar nga KOS.

Escobar ishte i shoqëruar nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.

Vizita e Gabriel Escobarit në manastirin nën mbrojtjen e UNESCO-s u realizua pas konfirmimit të Qeverisë së Kosovës e cila ka urdhëruar regjistrimin e tokës prej 24 hektarëve në emër të manastirit.

Vetë lajmi u konfirmua në prag të vizitës së Escobarit në Kosovë, të cilin ai e mirëpriti, si dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

Ky është pikërisht një nga kushtet e deklaruara drejtpërdrejt për mundësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

As manastiri dhe as vetë KOS nuk kanë bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare pas lajmit nga Prishtina, i cili mori një reagim të madh në Perëndim, përveç që deklaruan se do ta konfirmojnë me një njoftim zyrtar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është zbatuar, “atëherë kur personi kompetent nga Kisha merr tapinë e nënshkruar dhe të vulosur me të gjitha ngastrat që përmban vendimi i gjykatës”.

Të ngjashme