Manxhukiqi po synon gjëra të mëdha me Kroacinë në Rusi

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 12:43 | Nga

Kroacia mposhti Nigerinë të shtunën për të marrë kryesimin në Grupin D të Botërorit 2018 në Rusi, që llogaritet një prej grupeve më të vështira dhe të paparashikueshme.

Kroacia më në fund ka fituar ndeshjen e parë të Kupës së Botës në 20 vjet dhe lojtari që i shkaktoi më së tepërmi telashe mbrojtjes së Nigerisë ishte Mario Manxhukiq, shkruan “FIFA.com”, transmeton “Koha Ditore”.

Me gjithë epërsinë në posedim, Kroacia kishte probleme të thyente mbrojtjen nigeriane, mirëpo pas gjysmë ore lojë një gjuajtje me kokë e Manxhukiqit përfundoi në rrjetë nga këmbët e mbrojtësit nigerian Oghenekaro Etebo.

Goli i dytë u shënua nga penalltia nga Luka Modriq, penallti të cilën e nxori Manxhukiq që u faullua në zonë nga William Troost-Ekong.

“Sigurisht se dua të bëj çdo gjë për Kroacinë. Ne jemi shumë të motivuar. Për mua motivimi është edhe më i madh, pasi dua të bëj diçka të madhe në Rusi. Kam fituar mjaft trofe me klube në të kaluarën dhe dua të kemi një rezultat të mirë me Kroacinë”, ka thënë Manxhukiq.

“Super Mario”, siç njihet në mediumet kroate, nuk është një sulmues klasik që mposht kundërshtarët me forcën e tij. Ai përdor kondicionin e tij për të tërhequr mbrojtësit prapa apo anash, duke krijuar hapësirë për të tjerët që të shpërthejnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme