Maqedonci flet për “rrezik shumë të lartë” për luftë: Shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë janë dislokuar përreth kufirit

Prishtinë | 18 Shk 2024 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se bazat operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përreth kufirit me Kosovën janë “një kërcënim i vazhdueshëm pë r vendin tonë”.

Maqedonci tha se “kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në juf të Serbisë”.
“Po, 48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë edhe për faktin që këto 48 baza janë në afërsi të kufirit me territorin e vendit tonë, pra janë diku prej 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë. Përveç këtyre 48 bazave, është për tu theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë”, tha ministri në një intervistë për The Geopost.

“E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë”, shtoi Maqedonci.

Maqedonci tha se shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë, “duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë”. Ai tha se “kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës”.

“Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, tha ministri.

Të ngjashme