Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës është arrestuar ish-ministri i Transportit në Maqedoni, Mile Janakievski si dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, të cilët kanë mbajtur këto pozita kur partia opozitare, VMRO DPMNE-së ka qenë në pushtet.
Vendimin për arrestimin e Janakievskit dhe Bozhinovskit e ka bërë të ditur Gjykata Penale me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike.
Që të dyve u është përcaktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për shkak mundësisë që të ikin nga shteti.
Ish-ministri Mile Janakievski dhe Kirill Bozhinovski akuzohen për disa vepra, për të cilat është duke vazhduar procesi gjyqësor bashkë me ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski.
Arrestimi i tyre vjen pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Maqedonia. Ai ka njoftuar të martën që gjendet në Hungari, vend në të cilin ka kërkuar azil politik.