Marramendja, shkaqet dhe trajtimi

Prishtinë | 22 Jan 2023 | 21:48 | Nga

Vertigo është prishje e ekuilibrit midis sistemit vestibular, vizual dhe atij somatosensorial. Mund të jetë qendrore (dëmtimi është në tru dhe bërthamat e trurit) ose periferike (kur dëmtimi është në labirint).  Zë rreth 5 % të të gjitha konsultave në mjekësinë e përgjithshme dhe rreth 20% të konsultave në vizitat ORL.

Elma Xhokaxhiu, mjeke ORL pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, tregon shkaqet e kësaj patologjie, duke renditur infeksionet virale, traumat e kokës, tumoret e veshit, migrenën, imunitetin  e ulët apo e alergjitë e ndryshme.

Nëse ndodh me episode të shkurtra dhe raste sporadike, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, por, nëse marramendja zgjat për orë të tëra dhe prish cilësinë e jetesës, duhet të thellohemi më tej. Në përgjithësi vertigo është shenjë paralajmëruese për sëmundje të tilla si: si tensioni i ulët ose i lartë, problemet e gjëndrave tiroide, sëmundjet e veshkave, epilepsia, skleroza, hemorragjia cerebrale etj.

Trajtimi i vertigos konsiston në lehtësimin e simptomave, eliminimin e halucinacionit të lëvizjes, uljen apo eliminimin e simptomave neurovegjetative (vjellje, nauze) dhe zhdukjen e shenjave psikoafektive (ankth, djersitje) etj. Shumë e rëndësishme është jeta e shëndetshme, shmangia e duhanit, alkoolit dhe konsumimit të tepruar të kafesë.

Çfarë është marramendja (vertigo) dhe çfarë e shkakton atë?

Marramendja është ndjesia e lëvizjes së objekteve kur asnjë lëvizje në të vërtetë nuk ndodh. Herë  pacienti e përshkruan marramendjen sikur bota dhe objektet sillen rrotull tij, herë sikur kanë  ndjesinë e tërmetit dhe toka dridhet nën këmbët e tyre, herë këputje dhe të fikët kur ngrihen menjëherë nga pozicioni ulur apo shtrirë. Vertigo është prishje e ekuilibrit midis sistemit vestibular, vizual dhe atij somatosensorial.

Vertigo mund të jetë qendrore (dëmtimi është në tru dhe bërthamat e trurit) ose periferike (kur dëmtimi është në labirint, morbus meniere, neuroniti i nervit vestibular, vertigo paroksistike beninje e pozicionit, fistula perilimfatike).

Shkaktarët janë të ndryshëm:

  1. Infeksionet virale (grip) apo infeksione të veshit (otitet) labirinyitet, neuroniti i nervit vestibular;
  2. Faktorët të trashëgueshëm;
  3. Traumat e kokës;
  4. Tumoret e veshit apo të kokës;
  5. Migrena;
  6. Imuniteti i ulët dhe alergjitë e ndryshme.

Kur duhet të shqetësohemi?

Në qoftë se bëhet fjalë për një episod të shkurtër dhe sporadik marramendje, nuk ka problem.

Ne duhet të shqetësohemi kur vertigo zgjat për orë dhe ditë të tëra dhe prish cilësinë e jetës së pacientit, aq sa ai bëhet inaktiv për të jetuar dhe punuar normalisht.

Me çfarë sëmundjesh të tjera lidhet ajo?

Në përgjithësi vertigo është paralajmëruese e sëmundjeve të tjera si:

  1. Hipertension dhe hemorragji cerebrale;
  2. Hipotension;
  3. Sëmundje autoimune (skleroza e shumëfishtë);
  4. Epilepsia;
  5. Disfunksion i gjëndrave të tiroideve, sëmundje të veshkave.

Vertigo mund të jetë efekt anësor gjatë trajtimit të zgjatur me medikamente të ndryshme: Antiaritmiket, antikonvulsivet, antihipertensivet dhe preparatet antidepresive.

Cila moshë preket më shumë dhe sa shpesh haset si patologji?

Nga praktika jonë, grupmoshat më të prekura janë 40-60 vjeç dhe më shpesh femrat se meshkujt. Marramendja zë rreth 5% të konsultave në mjekësinë e përgjithshme dhe rreth 20% të konsultave në vizitat ORL.

Çfarë forme vertigo hasni ju në praktikën ambulatore?

Në shërbimin tonë ORL, paraqiten shumë raste me morbus meniere, që quhet ndryshe hidropsi labirintik. Populli gabimisht e njeh me termin veshi i mesëm. Në fakt patologjia ndodh në veshin e brendshëm. Është një patologji me shkak të panjohur (idiopatik). Kjo sëmundje karakterizohet nga vertigo, zhurmë në vesh, ulje dëgjimi apo ndjenja e mbushjes së veshit. Kriza e marramendjes mund të jetë e menjëhershme (zakonisht pas ngritjes nga gjumi), apo mund të jetë e paraprirë nga dhimbja e kokës dhe pacienti ankohet se ka ndjeshmëri të rritur nga zhurmat. Sëmundja shoqërohet me të përziera ose të vjella. Zakonisht zhurmat dhe ulja e dëgjimit ndodhin në njërin vesh dhe kur preken të dy veshët sëmundja është në stad më të avancuar. Ulja e dëgjimit vihet re për sinjalet me frekuencë të ulët. Humbja e rëndë e dëgjimit ndodh në 2-3% të rasteve.

Një formë tjetër e shpeshtë e vertigos është dhe vertigo beninje paroksistike e pozicionit (BPPV), që ndodh nga ndryshimet e shpejta të pozicionit, zakonisht kur pacienti është shtrirë dhe kthehet koka majtas ose djathtas. Ajo prek gjithë grupmoshat, veçanërisht të moshuarit. Shfaqet zakonisht pas gripit, infeksionit të veshit, traumave, ndërhyrjeve kirurgjikale etj. Vertigo e pozicionit zgjat më pak se 30 sekonda dhe ka përmirësime dhe përkeqësime spontane. Kur kjo lloj vertigo instalohet për ditë të tëra tek pacienti, ai paraqitet tek mjeku për trajtim dhe stabilizimi arrihet nëpërmjet ushtrimeve dhe manovrave të rrotullimit të kokës (manovra Dix-hallpike).

Vertigo ka një impakt negativ tek pacienti, shpesh ai ka ankth dhe depresion. Frika se mos kriza e marramendjes do përsëritet çon në rikthimin e tyre.

Si vendoset diagnoza e sëmundjes?

  1. Nëpërmjet marrjes së një anamneze të hollësishme nëse pacienti ka pasur me parë episode marramendje, çfarë sëmundjesh të tjera ka, apo ka të dhëna për ndonjë familjar që vuan nga marramendja.
  2. Otoskopia (kontrolli i veshit për sëmundje inflamatore).
  3. Audiograma për të parë nëse ka ulje dëgjimi për tonet e ulëta dhe sa është rënia nëse ka në përqindje.
  4. Të shihet nëse ka prani të nistagmusit spontan apo të provokuar (shihet lëvizja e bulbeve okular. Nëse vihet re nistagmus horizontal, flet për patologji periferike, nëse nistagmusi rreh vertikalisht, patologjia është centrale (tru).
  5. Një ekzaminim më i detajuar është videonistagmograma, ekzaminim i përgjithshëm i funksionit stato-kinetik dhe i nervave kraniale.
  6. Do ishte mirë për vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të organizmit një bilanc biokimik total.

Ku konsiston trajtimi i vertigos?

Qëllimi i trajtimit  të vertigos është lehtësimi i simptomave, eliminimi i halucinacionit të lëvizjes, ulja apo eliminimi i simptomave neurovegjetative (vjellje, nauze) dhe zhdukjen e shenjave psikoafektive (ankth, djersitje). Për këtë qëllim përdoren preparate antivertiginoze (betahistina), vitamino-terapi, preparate kundër ankthit dhe fizioterapi. Betahistine shërben për të rritur fluksin e gjakut në kërmillin e veshit (kokle) dhe në gjithë trurin, dhe frenon aktivitetin e bërthamës vestibulare (që përgjigjet për drejtpeshimin e trupit. Në format e rënda, ku pacienti ka humbje të rënda dhe të përhershme të dëgjimit, apo kur ka zhurma të forta në vesh, rekomandohet injektim i sol gentamicine në kavitetin timpanik.

Parandalimi dhe këshilla?

Duke qenë se morbus meniere ka etiologji të panjohur, nuk mund të parandalohen krizat e reja të vertigos, por duhen këshilluar pacientët se një jetë e shëndetshme, shmangja e duhanit, alkoolit, konsumimi i tepruar i kafesë dhe lëngjeve të pasura me kafeinë, jetë me pak strese, do t’i largonte episodet e vertigove. (Shendeti.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme