Marrëveshja e dëmshme, 20 milionë euro të taksapaguesve në llogaritë e KESCO-s

Prishtinë | 12 Jan 2023 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

20 milionë euro të Qeverisë së Kosovës të ndara në dhjetorin e vitit 2021 për Korporatën Energjetike të Kosovës me qëllim importimin e energjisë elektrike, kishin kaluar në llogaritë e KESCO-s, Furnizuesit për Shërbim Universal.

Me një marrëveshje të lidhur mes Ministrisë së Ekonomisë dhe KEK-ut, subvencionet në vlerë prej 20 milionë euro të ekzekutivit do t’i kalonin në llogari Korporatës Energjetike për tregtimin e importit të energjisë elektrike.

Mjetet dyshohen se i ishin ndarë KEK-ut për arsye se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte tentuar të mënjanonte një marrëveshje të drejtpërdrejt për subvencionimin e dy kompanive private që merren me furnizim dhe distribuim të energjisë elektrike në vend: KEDS dhe KESCO.

Por, 20 milionë eurot shpejt do të përfundonin në llogaritë e KESCO-s. Këtë do t’ia mundësonte një marrëveshje e lidhur mes KEK-ut dhe KESCO-s rreth tri javë pas marrëveshjes që korporata kishte lidhur me Ministrinë e Ekonimisë.

Sipas kësaj kontrate, të lidhur më 11 janar të vitit 2022 mes KEK-ut dhe KESCO-s e të cilën e kanë hetuar Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, KEK-u ia delegonte kompanisë turke përgjegjësinë për blerjen e energjisë elektrike me 20 milionë eurot e taksapaguesve kosovarë.

Paparaci, ka siguruar raportin e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

“Me datë 11.01.2022 KEK Sha nënshkruan përsëri marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energii Elektrike KESCO Sha për shitblerjen e energjisë elektrike nga Importi duke u mbështetur në rekomandimet e Komitetit Teknik Emergjent te formuar në përputhje me UA Nr.04/2017 mbi rregullat dhe masat kufizuese të furnizimit me energji në situata emergjente”, thuhet në raportin e hetuesve policorë.

Hetuesit ngritin dyshime se Nagip Krasniqi, në cilësinë e Kryeshefit të KEK-ut kishte nënshkruar këtë “kontratë të dëmshme për buxhetin e shtetit”.

“Kryeshefi ekzekutiv i KEK sha Nagip Krasniqi ka lidhur marrëveshje të dëmshme me KESCO sha, e cila konsiderojmë se është në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e hetuesisë.

Marrëveshja është bërë në kundërshtim edhe me Rregulloren e Brendshme të KEK-ut për procedimin e buxhetit.

Sipas kësaj rregulloreje, bartja e shumave nga një linjë buxhetore në tjetrën brenda kategorisë së njëjtë buxhetore mbi vlerë miratohet nga ana e Drejtorit Financiar dhe Drejtorit Menaxhues.

Por, kjo nuk ka ndodhur sepse në kohën kur është lidhur kjo marrëveshje, KEK-u nuk ka pasur Bord të Drejtorëve.

Të ngjashme