Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, do të takojë sot zyrtarë të lartë amerikanë, ndërsa bisedimet pritet të përqendrohen në pasojat e tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore.
Maas do të takojë në Uashington Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, dhe këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, John Bolton.
Takimet zhvillohen dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do t’i vënë Iraniit “sanksionet më të fuqishme në histori”, duke thënë se Republika Islamike ka shkelur frymën e marrëveshjes bërthamore, duke testuar raketa balistike dhe duke mbështetur aktivitetet militante në rajon.
Gjermania, Franca dhe Britania po përpiqen të ruajnë marrëveshjen, e cila i ka ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.
“Ne në Gjermani, por edhe në Evropë, jemi të vendosur të bëjmë gjithçka të nevojshme për të ruajtur marrëveshjen”, ka thënë ministri gjerman, Maas.
Nënshkruese të kësaj marrëveshjeje janë edhe Rusia dhe Kina.