Marrëveshja për emrin, partitë shqiptare me qëndrim të unifikuar

Prishtinë | 15 Qer 2018 | 15:14 | Nga

Partitë politike shqiptarë kanë qëndrim të unifikuar sa i përket marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe referendumit për çështjen e emrit.

Edhe pse BDI-ja ka qenë kundër referendumit, qëndrimi i tyre nuk është përfillur nga blloku politik maqedonas. Megjithatë nga kjo parti theksojnë se në rast të mbajtjes së referendumit, do ta mbështesin të njëjtin.

Njëra ndër kërkesat e BDI-së ka qenë që të mos mbahet referendum. Nuk ka nevojë për këtë çështje sepse Qeveria, Parlamenti kanë marrë legjitimitetin nga qytetarët dhe janë përfaqësues të tyre duke pasur legjitimitetin për të vendosur në rast se e kanë shumicën për këtë gjë. Në marrëveshjen që duhet nënshkruar mes dy kryeministrave, referendumi nuk qëndron si i obligueshëm, aty thuhet se mund të ndodhë vetëm nëse e kërkon Maqedonia, pra nuk e kushtëzon Greqia. Duhet të shihet se çka do të jetë në të ardhmen, referendum obligues apo konsultativ – deklaroi Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.

Edhe Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë cilën do formë të referendumit.

Do ta mbështesim ndryshimin e emrit edhe pse detajet e marrëveshjes ne nuk i kemi pasur. Ende nuk i kemi analizuar, por kemi deklaruar se në cilëndo formë qoftë do ta mbështesim, qoftë përmes formës së demokracisë përfaqësuese me 2/3 në Kuvend qofte me demokraci të drejtpërdrejtë përmes referendumit – pohoi Remzi Memedi, Nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja Besa, krahu qeveritar shpreh mbështetje për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit.

Organizimi i një referendumi ku populli do të shprehte populli qëndrimin e tij, po pse mos ta pyesim. Pavarësisht se tani është herët. Neve nuk e dimë as formulimin e pyetjes në referendum as çfarë do të përmbaj dhe si do të organizohet – tha Lulzim Aliu, Përfaqësues i Lëvizjes Besa.

Në publikimin e marrëveshjes, Kryeministri Zoran Zaev potencoi se fjalën e fundit do ta kenë qytetarët në referendum.

Vota e qytetarëve është përfundimtare. Ashtu siç kemi premtuar, me marrëveshje garantohet se në vjeshtë do të ketë referendum. Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin për të ardhmen e tyre. Në referendum do të shënohet një faqe e re në historinë e Maqedonisë – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Për dallim nga Zaev, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski ka thënë se marrëveshja është antikushtetutese dhe se në referendum do të votonte kundër dokumentit të cilin e ka quajtur “Kapitullim të Maqedonisë”. Në një linjë me të është edhe presidenti Gjorge Ivanov. Bazuar në listën zgjedhore, për të kaluar pragun e referendumit në votim duhet të dalin rreth 900 mijë qytetar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme