Arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për termat e referencës për Komisionin për Personat e Zhdukur, dje në Bruksel, është një lajm i mirë në radhë të parë për të afërmit e të zhdukurve por edhe për Kosovën në përgjithësi. Impakti, por edhe simbolika, e marrëveshjes janë jashtëzakonisht domethënëse në shumë aspekte:
-Së pari, tregon haptas se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike nuk është i nevojshëm dhe kusht për implementimin e aneksit të Ohrit nga Qeveria e Kosovës, ashtu siç deklaron publikisht Kryeministri Kurti;
-Së dyti, Qeveria e Kosovës është pajtuar që mbikëqyrës i Komisionit për Personat e Zhdukur të jetë i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak — Qeveria e Kosovës vazhdimisht e ka akuzuar z. Lajçak për njëanshmëri të skajshme, që sipas tyre po dëmton Procesin e Dialogut, nëse është kjo bindja e vërtetë e Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, si ka mundësi që “një zyrtari të njëanshëm”, t’i besohet roli i arbitrit në një nga çështjet më të ndjeshme të dialogut (?);
-Çështja e tretë dhe e fundit, kushdo që e sheh deklaratën bërë pas Konferencës së Ohrit nga ish-Komisioneri i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josef Borrell, do ta kuptojë se Marrëveshja për Personat e Zhdukur dhe çështja e Asociacionit janë të lidhura me njëra-tjetrën — Serbia e bën hapin e parë për personat e zhdukur, ndërsa hapi tjetër bëhet nga Kosova për Asociacionin, deklaronte ai.
Me deklaratën e Josef Borell, janë pajtuar në adresimet e tyre të asaj nate si Kryeministri Kurti, ashtu edhe Presidenti Vuçiq.
A do ta dërgojë kryeministri Kurti Draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese apo do ta përcjellë këtë obligim në qeverinë e ardhshme? Kjo është pak e rëndësishme —Asociacioni mbetet obligim i Kosovës.