Siguria ushqimore, e veterinarisë dhe fitosanitare – Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë | 20 Dhj 2024 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare, raporton Ekonomia Online.

Autoritetet kompetente do të bashkëpunojnë për aktivitetet prioritare në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare, si harmonizimi dhe përditësimi i të gjitha modeleve të certifikatave që shoqërojnë produktet ushqimore, ushqimin për kafshë, kafshët e gjalla, bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera me origjinë nga të dy vendet (Shqipëri dhe Kosovë) si dhe certifikatat që shoqërojnë produktet ushqimore, ushqimin për kafshë, kafshët e gjalla, bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera me origjinë nga vende të tjera dhe eksportohen ndërmjet të dy vendeve sipas legjislacionit në fuqi të secilës palë.

Në marrëveshje përfshihet edhe shkëmbimi reciprok i listës së subjekteve të licencuar dhe regjistruar midis autoriteteve kompetente, AKU, AKVMB dhe AUV, si dhe ai i listës së subjekteve të miratuara për të eksportuar në të dy vendet.

Bashkëpunimi mes tjerash parasheh vlerësimin e riskut për subjektet eksportuese në të dy vendet si dhe njoftimi i ndërsjellët i rasteve jo në përputhje, të ardhura nga sistemi RASFF ose INFOSAN të prodhuara ose shpërndarë në Shqipëri ose Kosovë.

Kjo marrëveshje bënë koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të kontrolleve zyrtare që lidhen me ushqimin, ushqimin për kafshë, veterinarinë, shëndetin dhe mbrojtjen e bimëve sa i takon eksportit midis dy vendeve.

Po ashtu bëhet bashkëpunimi në kryerjen e aktiviteteve në fushën e shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve, për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve në kafshë, parandalimin e përhapjes së dëmtuesve karantinor në bimë dhe produkteve bimore përfshirë edhe rastet emergjencave dhe krizave në fushën e ushqimit, veterinarisë dhe fitosanitetit.

Autoritetet do të bashkëpunojnë për hartimin broshurave dhe fushatave informuese për sigurinë ushqimore, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin dhe mbrojtjen e bimëve.

Mbështetja laboratorike sipas nevojave për testimin e mostrave zyrtare që merren nga autoritetet, e po ashtu edhe bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioneve në fushën e identifikimit, regjistrimit dhe lëvizjes së kafshëve.

Tutje, në marrëveshje përfshihet bashkëpunimi në fushën e trajnimeve për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike për rritjen e efikasitetit të kontrolleve zyrtare.

Kjo marrëveshje e lidhur mes ministrive do të zbatohet nga institucionet përgjegjëse të varësisë për fushat e përgjegjësisë së lidhjes së kësaj Marrëveshje: Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Shqipërisë do të jetë Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (më poshtë AKVMB), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (më poshtë AKU) dhe Instituti i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (më poshtë ISUV). Për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Kosovës do të jetë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, (më poshtë AUV) dhe Laboratori Ushqimit dhe Veterinarisë (më poshtë LUV).

Të ngjashme