Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paraqitur nëntë pika se si do të veprojë me dialogun me Serbinë, nëse udhëheq me Qeverinë e re.
Kurti, ka thënë se së pari do të fillojë dialog me serbët lokal e më pas parasheh dialog me Serbinë, por jo për çështje të brendshme të Kosovës.
Profesori i Integrimeve Evropiane, Avni Mazrreku, ka thënë për Ekonomia Online se nëntë pikat e Kurtit nuk kanë asgjë të re nga platforma politike e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjithashtu në këtë strategji të Kurtit, sipas Mazrrekut mund të vërehen edhe kritika për dialogun Kosovë-Serbi të filluar në vitin 2011.
“Në këto nëntë pika nuk ka asgjë të re nga ajo që ka qenë platformë politike përkatësisht premtim elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje, përkundrazi nëse e lexojmë me shumë kujdes pikën 9 në fakt le të nënkuptohet që ky dialog në nivel të dy shteteve midis Kosovës e Serbisë e kërkon të themi një konsensus nacional do të thotë kërkohet një pajtim më i gjerë çka mendoj që kjo qasje është qasje konstruktive dhe qasje të cilën duhet ndjekur Kosova në të ardhmen. Në këto 9 pika mund të vërehen edhe kritika”, është shprehur ai.
Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një numër të madh të marrëveshjeve, por Lëvizja e Kurtit nuk është pajtuar shpeshherë me marrëveshjet e arritura, e “zhurmën” më të madhe e ka bërë për marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Profesorin Mazrreku thotë se Qeveria e re nuk e ka komoditetin e as nuk mund të ndryshojë marrëveshjet e arritura, ngase duhet konsensus nacional.
“Nuk mendoj që Kosova në cilindo rast duhet me ja dhanë komunitetin vetës që me kontestuar marrëveshjen e arritur nga qeveritë pararendëse sepse ky mund të jetë precedent i rrezikshëm. Sa i përket marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe pika bazë mbi të cilën duhet me u ndërtuar një platformë është pikërisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Për marrëveshjen 19 prillit të vitit 2013, por edhe për marrëveshjet e tjera që ka përfunduar Kosova janë ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, paraprakisht duhet të ekzistoj një kompromis nacional dhe asnjëra forcë politike, koalicioni qeveritarë i ardhshëm cilido qoftë ai të inicioj procese të një konteksti nacional”, është shprehur ai.
Mazrreku propozon një mënyrë se si do mund të kontestoheshim marrëveshjet dy paleshe. Ai thotë se Serbia shpeshherë ka përdorur Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar marrëveshjet e arritura me Kosovën.
“Serbia jo rrallë e ka përdorur Gjykatën Kushtetuese jo rrallë i ka kontestuar marrëveshjet që i ka mbërri me Kosovën edhe të ato të temave më sektoriale kështu që mendoj që edhe Kosova duhet me i përdor mekanizmat e saj institucional, por edhe mekanizmat e saj ndërkombëtarë në këtë rast edhe mekanizmat e BE-së në funksion të sqarimit dhe bërjes më të implementueshme, më të drejtë për interesin e qytetarëve, më të drejtë për procesin e shtet formimit të Kosovës”, potencoi profesori i Integrimeve Evropiane.
Në këto nëntë pika Kurti ka paralajmërua edhe formimin e një Komisionin Parlamentar që do të bënte vlerësimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës e Serbisë.
Për Mazrrekun çfarë do komisioni i formuar nga kush do nuk ka mundësi që të ndryshojë marrëveshjet e Brukselit, po që vetëm mund të bëjë vlerësimin e tyre.