Marshi skandaloz i eurodeputetit francez nëpër Kosovë, “UÇK terroriste, Kosova djep i Serbisë”

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Deputeti francez në Parlamentin Evropian, Nicolas Bay, përmes llogarisë së tij zyrtare në Twitter ka goditur Kosovën derisa ka shëtitur nëpër qytetet e saj. Bay ka qëndruar në Ballkan për tre ditë, konkretisht në Serbi dhe në Kosovë, ku edhe ka vizituar disa monumente kulturore e historike në vend, prej të cilave ka nisur propagandën e fuqishme kundër Kosovës.

Me mbi 21 postime për tre ditë ai e ka quajtur Kosovën “djep të Serbisë”, e objektet kulturore, fetare e historike si pjesë të këtij shteti por të okupuara nga shqiptarët. Në cicërimën e tij të fundit ai me disa fotografi të publikuara nga manastiri në Graçanicë, thotë se pavarësisht “pushtimit të shqiptarëve”, ky vend mbetet i shenjtë dhe u mundëson serbëve të rrënjosin veten në identitetin e tyre.

“Manastiri i Graçanicës është një nga më të rëndësishmit për ortodoksët. Pavarësisht pushtimit shqiptar, ky vend i shenjtë u mundëson serbëve të rrënjosin veten në besimin dhe identitetin e tyre. Një xhevahir i qytetërimit tonë”, shkruan ai në fotografitë e publikuara në llogarinë e tij zyrtare nga manastiri i Graçanicës.

“Kosova është zemra e kombit serb. Është djepi historik i Serbisë”, kështu e nisë shkrimin e tij tjetër në Twitter, përsëri nga manastiri ku me një video ju drejtohet mbi 103 mijë ndjekësve të tij në Twitter, transmeton Gazeta Infokus.

Vizitën e tij tre ditore në Ballkan deputeti e nisi në Beograd, me 27 tetor.

“Arrita mëngjesin e sotëm në Beograd për një udhëtim 3-ditor në Ballkan. Mundësia për të takuar popullsinë, autoritetet politike dhe fetare, në këtë tokë të mavijosur evropiane ku rrezikohet edhe e ardhmja e qytetërimit tonë evropian dhe të krishterë”, shkruan ai në tëitter nga kryeqyteti i Serbisë.

E nga kjo ditë deputeti francez e fillon propagandën e tij në tëitter kundër Kosovës, duke e quajtur Serbinë mbrojtëse të identitet të saj për luftën në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999 në Beograd.

“Midis 24 marsit dhe 8 qershorit 1999, avionët e NATO-s bombarduan Beogradin. Çfarë gabimi kishte Serbia? Duke dashur të ruajë identitetin dhe pavarësinë e saj kombëtare”, shkruan ai në fotografitë e publikuara nga Beogradi.

Vizitën e tij në Kosovë ai e nisi në veri të Mitrovicës. Bay me fotografi të publikuara me ushtarë serbë nga ura në Mitrovicë e quan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, terroriste dhe ushtarët serbë heronj që luftuan të parandalojnë pushtimin e kësaj ure.

“Në vitin 1999, këta burra luftuan ditë e natë, duke rrezikuar jetën e tyre, për ta “mbajtur” këtë urë të Mitrovicës dhe për të parandaluar pushtimin e terroristëve shqiptarë të UÇK-së në veri të Kosovës. Ata janë heronj të popullit serb”, shkruan deputeti në një tëitt tjetër.

Postimet e tij skandaloze nga Kosova, duke e goditur rëndë identitetin dhe historinë e shtetit nuk kanë të ndalur. Të tilla shkrime ai ka publikuar edhe nga Prizreni, Grcanica, Mitrovica e qytete të tjera.

Prizrenin ai quan ish qytet të mbretërve të Serbisë tani “të okupuar nga shqiptarët”, e që sipas tij kishat janë zëvendësuar nga xhamitë. Madje nga ky qytetet i vjetër i Kosovës ai akuzon perëndimin se kanë kthyer kokën dhe nuk kanë parë se çfarë ka ndodhur këtu.

“Prizreni, një qytet evropian dhe ish-qyteti i mbretërve të Serbisë, tani është i pushtuar nga shqiptarët myslimanë. Në këtë tokë të Evropës, kishat janë zëvendësuar nga xhamitë. Ndërkohë, qeveritë perëndimore kanë parë nga ana tjetër”, shkruan Bay.

Të ngjashme