Organizatat e shoqërisë civile po marshojnë në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, raporton Ekonomia Online.
Marshi ka nisur nga sheshi “Skënderbeu”, dhe do të vazhdojë me ndalje te shkurtra në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare.
Ismet Kryeziu nga KDI, tha se ky projektligj dëmton shoqërinë dhe paranë publike.
Sipas tij, partitë politike me këtë i rregullojnë punët e tyre si është më së miri duke i ikur llogarisë ndaj qytetarit.
Marshuesit tashmë kanë vendosur 27 amendamentet që po i kundërshtojnë në dyert e selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.
Kryeziu në emër të organizatave që po marshojnë, i bëri thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetëve të AAK-së që mos ta votojnë këtë ligj.
Njëjtë vepruan edhe tek selia e Nismës Socialdemokrate, ku i bënë thirrje zv.kryeministrit Fatmir Limaj dhe deputetëve ta mos e votojnë këtë ligj.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Ato vlerësojnë se Projekligji është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
LEXONI EDHE: