Marshohet për drejtat e punëtorëve – hudhen mjete piroteknike drejt institucioneve

Prishtinë | 01 Maj 2023 | 12:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka marshuar kundër shtypjes së klasës punëtore në Ditën e punëtorëve, raporton Ekonomia Online.

Marshi ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të Drejtorisë së Policisë, te zyrat e Inspektorati të Punës e deri te Qeveria e Kosovës.

Ata para hyrjes së Qeverisë e Inspektorati të Punës kanë gjuajtur mjete piroteknike me ngjyrë.

Bjeshka Guri, nga kjo organizatë tha se 110 vdekjet e qindra lëndime në vendet e punës nuk janë aksidente, por vrasje.

Ajo u ka bërë thirrje punëtoreve nga secili sektor që të bashkohen në solidaritet e të organizohen në rezistencë të përbashkët kundër sistemit shtypës drejt çlirimit dhe drejt një shoqërie të lirë e të barabartë.

“Secili nga ne, jemi më se të vetëdijshëm për nënçmimin e përditshëm që përjetojmë duke kaluar një jetë të tërë të tjetërsuar nga vetvetja, familja dhe shoqëria. Ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën sunduese. Puna jashtë orarit, puna pa kontrata, rroga minimale 170 euro, vendet e pasigurta të punës, vdekjet, abuzimet, krimet seksuale nuk janë simptoma të një sistemi të keqmenaxhuar përkundrazi, janë pjesë të një sistemi të mirë dizajnuar, i cili mbahet e rritet përmes pabarazisë, shtypjes dhe dhunës ndaj klasës punëtore”.

“110 vdekje dhe qindra lëndime në vendin e punës, nuk janë thjesht aksidente, ato janë vrasje. 80 për qind e grave jashtë tregut të punës nuk është thjeshtë papunësi, është pasqyrë e shtypjes sistematike ndaj grave përmes ndarjes gjinore të punës që feminizon dhe devalvon punën e kujdesit dhe riprodhimit shoqëror, për të përfituar prej saj pa ndonjë kompensim. Përjashtimi sistematik i grupeve të racializuara rome, egjiptiane e ashkalike dhe heteroseksizmi i normalizuar tregon dhunshëm që ky sistem kapitalist e patriarkal mbijeton veç përmes dhunës”.

“Pushtetarët, si ata social-demkorat të tanishëm, po ashtu edhe pushtetet e kaluara të djathta, së bashku me oligarkët ekonomik, tentojnë të na reduktojnë në votues e konsumator, pra në individë pa pushtet, që jetojmë në qytete të zotuara nga oligarkët mafioz, ku vlera jonë matet me sasinë që e prodhojmë dhe sasinë e gjërave që blejmë”.

“Mirëpo ata nuk kanë guxim të na quajnë klasë, se klasa nënkupton që ne ndajmë një realitet të përbashkët; ne punëtoret e punëtorët na përbashkon shtypja që e përjetojmë, përderisa pushtetarët i përbashkon eksploatimi që e bëjnë. E mbi të gjitha se ata janë të vetëdijshëm që nëse ne organizohemi, mund t’i këpusim zinxhirët e shtypjes e ta përmbysim këtë rend shtypës”.

“Prandaj ne të mbledhurit sot këtu, pjesë të klasës punëtore, para së gjithash i flasim klasës punëtore dhe nuk tentojmë të hyjmë në dialog me strukturat e tanishme.. Ne jemi këtu për të kumtuar se ëndrra për shoqëri revolucionare është ende gjallë. Ne jemi këtu për t’i bërë thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e pastrimit, studente/ë e pensioniste/ë, të bashkohemi në solidaritet e të organizohemi në rezistencë të përbashkët kundër sistemit shtypës e eksploatues kapitalist; drejt çlirimit dhe drejt një shoqërie të lirë e të barabartë”, tha ajo.

Gjatë gjithë marshit janë bërë këto thirrje, “Liri, barazi, solidaritet”, “Poshtë racizmi”, “Poshtë homofobia”, “Pagë për punë të shtëpisë”, “Prej snalti poshtë s’bien paret, po bien punëtorët”, “Rrogat si lëmosha punëtorët hanë trosha” etj.

Të ngjashme