Komuna e Vushtrrisë ka ashpërsuar masat ndaj shfrytëzuesve ilegalë të thëngjillit, ku përpos kallëzimit penal dhe gjobave në të holla, atyre do t’u sekuestrohen edhe mjetet e transportit dhe thëngjilli.
Kështu u theksua gjatë takimit të nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Dibran Përçuku, dhe kryeinspektorit të minierave të Kosovës, Fatmir Gërgurin të cilët biseduan për shfrytëzimin ilegalë të pasurive nëntokësore të vendit, me theks të veçantë të thëngjillit në territorin e Komunës së Vushtrrisë dhe masat që do të ndërmerren për parandalimin e kësaj dukurie.
Kryeinspektori Gërguri tha se çdo aktivitet që bëhet për nxjerrjen e qymyrit të Kosovës është i jashtëligjshëm, përjashtuar nxjerrjet që bëhen në KEK. Ai theksoi se asnjë person juridik dhe fizik nuk ka leje e as të drejtë të bëjë eksploatimin e qymyrit.
Sipas tij, sanksionet për shkelësit e Ligjit për Miniera dhe Minerale janë të larta. Gërguri tha se në Komunën e Vushtrrisë janë identifikuar shumë operatorë ilegalë, ndaj të cilëve kanë bërë kallëzime penale për shkak të nxjerrjes së qymyrit.
Gërguri theksoi se për eksploatime ilegale, Inspektorati, që ai udhëheq, ka shqiptuar shumë kallëzime penale dhe gjoba.
“Ne jemi të vendosur të zbatojmë ligjin me përpikëri dhe nuk do të lejojmë asnjë abuzim, apo shkelje të ligjit në këtë drejtim. Institucionet komunale do të japin mbështetjen dhe ndihmën në maksimum për parandalimin e shfrytëzimit të pasurive minerale të vendit pa licencë zyrtare”, ka thënë ai.
Në takim u tha se duke pasur parasysh se resurset minerale, pavarësisht nga prejardhja e tyre, forma ose gjendja fizike, që gjendën në brendësi të tokës, apo në sipërfaqe të saj dhe brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë pronë e Republikës së Kosovës, dhe konform Ligjit “Për minierat dhe mineralet”, miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 22 korrik 2010, do të ndërmerren masa të ashpra ndaj të gjithë shfrytëzuesve të thëngjillit në mënyrë të paautorizuar.
Po ashtu u theksua se pasi që deri më tash janë identifikuar pothuaj të gjithë shfrytëzuesit ilegalë të thëngjillit në Komunën e Vushtrrisë, të cilët janë edhe të njoftuar për aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm, tash e tutje, përpos kallëzimit penal dhe gjobave në të holla, atyre do t’u sekuestrohen edhe mjetet e transportit dhe thëngjilli.