Masat e reja kundër Covid–19 në Austri

Prishtinë | 15 Nën 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Qëllimi i këtyre masave është të zvogëlohet numri i infeksioneve deri në 6 dhjetor në mënyrë që kufizimet të hiqen më pas dhe biznesi i Krishtlindjes të bëhet i mundur.

Për shkak të rritjes së shpejtë dhe të jashtëzakonshme të numrit të infeksioneve në javët e fundit, qeveria beson se tani nuk ka rrugëdalje tjetër: Kështu që, Austria nga dita e martë (17 nëntor) hyn në një “bllokim” të dytë.

Qëllimi i këtyre masave është të zvogëlohet numri i infeksioneve deri në 6 dhjetor në mënyrë që kufizimet të hiqen më pas dhe biznesi i Krishtlindjes të bëhet i mundur, shkruan heute.at.

Në vijim sjellim detajet e masave të cilat i transmeton Albinfo Austria.

  1.  Kufizimi i daljes – 24 orë

Prej afro dy javësh ishte në fuqi masa e kufizimit të daljes nga shtëpia. Nga ora 20:00 deri në orën 06.00 ishte e ndaluar dalja përveç rasteve me arsye. Nga dita e martë kufizimi i daljes do të bëhet 24 orë, me disa përjashtime. Padyshim ky është rregulli më i vështirë dhe më i diskutueshëm sepse është një prej të drejtave themelore të qytetarëve.

Ndalimi i kontaktit me persona të tjerë do të hynë po ashtu në fuqi. Më së shumti keni të drejtë të takoni vetëm një person nga një familje e huaj.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin nga shtëpia, vetëm për këto arsye:

-Në rast të rrezikut të jetës, gjymtyrëve apo pasurisë (Djegie e banesës, shtëpisë apo diç tjetër).

-Të kujdeset dhe të sigurojë ndihmë për njerëzit që kanë nevojë për mbështetje, si dhe për të ushtruar të drejtat e familjes dhe për të përmbushur detyrimet familjare.

– Të mbulojë nevojat themelore të jetës së përditshme.

-Për qëllime profesionale, nëse puna dhe profesioni i juaj është i nevojshëm dhe nuk mund të bëhet nga shtëpia.

-Të qëndrosh jashtë për relaksim fizik dhe mendor.

2. Bizneset tregtare mbyllen

Qendrat tregtare dhe të gjitha dyqanet do të mbyllen përsëri si në muajin mars.

Lejohet të punojnë vetëm: Supermarketët, barnatoret, pompat e benzinës, trafikat, ​ dyqanet e  kafshëve, bankat si dhe garazhet e automjeteve dhe biçikletave.

3. Vendet e kulturës dhe kohës së lirë do të mbyllen

Vendet për rekreacion dhe kohë të lirë nuk do të funksionojnë, për shembull: Parqet për dëfrim, pishinat e mbyllura, shkollat e vallëzimit, lokalet e basteve, kazinotë, etj. Por edhe i gjithë sektori i kulturës: muzetë, sallat e koncerteve, kinematë, teatrot, parqet e kafshëve, kopshtet zoologjike etj.

4. Mbajta e maskës e detyrueshme edhe në automjete

Në  vetura lejohen të transportohen katër persona, nga dy persona për çdo rresht. Përveç kësaj është e obliguar edhe bartja e maskës për secilin person.

5. Vizitat në shtëpitë e të moshuarve vetëm një herë në javë

Personat më të prekur nga koronavirusi  dhe që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë,  janë të moshuarit. Vizitat në shtëpitë e të moshuarve (Alten und Pflegenheimen) do të reduktohen prej maksimumi një person në një herë në javë. Ai duhet të këtë maskën mbrojtëse dhe një vërtetim të testit negativ.

6. Ndalim i vizitave në spitale

Gjatë gjithë këtyre masave nuk lejohen vizitat në spitale. Përjashtim bëhet: Shoqërimi i personave që janë në gjendje të vështirë shëndetësore, vizitat e fëmijëve si dhe e lejuar është vizita shoqëruese e partnerit/ bashkëshortit për gratë shtatzëna.

  7. Gastronomia

Bizneset e hotelerisë dhe akomodimit vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Lejohen shërbimet e dërgimit (Liferservices) dhe marrja e ushqimit apo pijeve me vete. Kjo është e mundur vetëm prej orës 06.00 të mëngjesit dhe deri në orën 19.00 të mbrëmjes. Në hotele mund të qëndroni dhe të kaloni natën vetëm për arsye profesionale.

8. Shkollat do të mbyllen

Lejimi apo moslejimi i procesit mësimor, ishte një nga debatet më të ashpra deri në fund. Megjithëse ekspertet e shumtë ishin kundër mbylljes së shkollave, kancelari Sebastian Kurz mbetet i vendosur për t’i mbyllur. Nga java e ardhshme mësimi do të bëhet nga shtëpia në sistemin mësim nga distanca. Sidoqoftë, ekzistojnë mundësitë për kujdesin e fëmijëve. Pra, prindërit që e kanë të detyruar të shkojnë në punë, do të kenë mundësinë t’i dërgojnë fëmijët në vendet e caktuara për kujdesje.

9. Mjediset sportive do të mbyllen

Palestrat dhe fushat e sportit por edhe vendet për atletë siç janë pistat për vrapim do të mbyllen. Lejohen vetëm sportet profesioniste, por pa shikues.

10. Ndalohen gazmendet familjare

Festimet familjare (dasmat, ditëlindjet etj), me njerëz nga familje të tjera janë të ndaluara. Një martesë në zyrën e regjistrimit është e mundur vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Varrimet mund të bëhen me maksimumin 50 persona.

Të ngjashme