MAShI e vlerëson të rregullt testimin e maturantëve, thonë se u konfiskuan disa telefona

Prishtinë | 28 Gus 2021 | 13:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit po e vlerëson të rregullt procesin e testimit të rreth 7 mijë maturantëve në afatin e dytë në gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.

Fatmir Elezi, shef i Divizionit për vlerësim në këtë ministri përmes telefonit tha që në përgjithësi mbarëvajtja e testit ka shkuar mirë.

Por sipas tij, ka pasur disa parregullsi të vogla ku disa nxënësve u është marrë telefoni, për çka edhe nuk dihet numri i saktë i tyre.

Përderisa drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Zejnullahu nuk ka dashur të prononcohet për medie me arsyetimin se kjo u takon zyrtarëve të ministrisë, ndonëse në mëngjes kishte premtuar detaje për procesin pas përfundimit të testimit.

MAShI përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues.

Më tutje në njoftim MAShI njoftoi se janë identifikuar edhe disa parregullsi.

Njoftimi i plotë:

U mbajt afati i dytë i Provimit të Maturës Shetërore

Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e dytë, i cili është organizuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), i janë nënshtruar 6700 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

Provimi i organizua në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).

Sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.

Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më 8 shtator.

Të ngjashme