MAShT-i dhe GIZ-i prezantojnë rezultatet e projektit të “Ndryshuesve të Rinj”

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 14:47 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ dhe Rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN), kanë prezantuar rezultatet e projektit të “Ndryshuesve të Rinj” në 12 komuna të Kosovës.

Në këtë program, të rinjtë janë pajisur me njohuri teorike dhe praktike, kanë punuar në grupe për krijimin e projekteve. Reth 100 të rinj kanë punuar me fëmijë të moshave deri 15 vjeç.

Aty janë evidentuar problemet e të rinjve në fushën e edukimit në komunat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Sekretari i Përgjithshëm i MAShT-it, Ekrem Kastrati, tha se programet e tilla i përgatisin për të ardhmen të rinjtë kosovarë. Ai u bëri thirrje nxënësve të pranishëm që t’i shfrytëzojnë programet në të cilat marrin pjesë, derisa vlerësoi lart bashkëpunimin me GIZ-in.

Kastrati tha se do të krijojnë mjedise ku të rinjtë përkrahen për ta ndihmuar zhvillimin e vendit.

“Ne besojmë se të rinjtë e vendit tonë mund të sjellin ndryshime pozitive. Ju jeni forca e ndryshimit, ju duhet të shfrytëzoni platformat që kanë për qëllim të ju fuqizojnë. Ne besojmë në fuqinë e të rinjve tanë, besojmë se programet e tilla kanë ndikim në përgatitjen e të rinjve”.

“Dëshirojmë të krijojmë mjedise ku të rinjtë përkrahen për të sjellë më shumë zhvillim. Jemi të gatshëm gjithmonë të bashkëpunojmë me GIZ-in dhe të tjerët që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve”.

Veton Ferizi, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, deklaroi se rinia kosovare është e çmueshme dhe se janë të obliguara për ta ruajtur dhe ndihmuar atë.

“Kosova kapitalin më të çmueshëm e ka rininë, është obligim për institucionet për ta ruajtur atë. Kemi punuar gjatë me GIZ-in dhe jemi falënderues. Shpresojmë që në të ardhmen ta gjejmë një gjuhë të përbashkët sepse jemi të vetmit që kemi programe për të rinjtë”.

David Oberhuber, drejtor i GIZ-it për Kosovë, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë program, i cili tha se ndihmon shumë të rinjtë të përgatiten për të ardhmen.

Ai tha se programi ka në fokus fëmijët që kthehen nga vende jashtë Kosovës dhe dëshirojnë të integrohen në shoqëri.

Oberhuber shtoi se ata ndihen të humbur dhe kanë nevojë për mbështetjen që ndryshuesit e rinj u ofrojnë.

“Ideja ishte që të shihet riintegrimi i personave të kthyer në mënyrë që të ketë punësim dhe aktivitete tjera për këta persona dhe programi për ndryshuesit e rinj është një grup specifik i targetuar, pra fëmijët që kthehen nga jashtë në Kosovë dhe dëshirojnë të integrohen plotësisht, të cilët kthehen në shkolla dhe fillimisht ndihen të humbur dhe kanë nevojë për një mbështetje, ndryshuesit e rinj janë njerëz që këta do t’i përkrahin”.

I riu Sinan Gushani nga Gjakova që ka punuar si mentor me nxënësit, tregoi përvojat e tij.

Ai tha se nga ky program ka mësuar shumë aftësi, si bashkëpunimi në grup dhe aftësia për planifikimin e buxhetit.

Gushani tregoi gjithashtu se ata kanë vizituar shkolla rurale të Gjakovës, raporton EO.

“Kemi shkuar në shkollat rurale, kemi biseduar me drejtorët ku kemi kërkuar të dimë planin me të cilin punojnë me nxënësit. Aftësi tjetër ka qëne mësimi se si të planifikojmë buxhetin. Kemi pasur aktivitete edhe me fëmijë me aftësi te kufizuara”.

Në këtë aktivitet është bërë ndarja e çmimeve për tri grupet fituese, derisa janë realizuar edhe performanca muzikore nga nxënësit e pranishëm.

Të ngjashme