Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë konfirmimin nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, për ndërtimin e shkollës profesionale në Komoran, ndërtimin e shkollës fillore në Fushticë të Lartë dhe ndërtimin e çerdhes në qendër të qytetit.
Gjatë takimit të kryetarit ministrit Bajrami me kryetarin Lladrovci, ky i fundit ka njoftuar ministrin për gjendjen në arsim në Komunën e Drenasit dhe nevojat që ka kjo komunë.
Ndërsa ministri Bajrami ka konfirmuar se gjatë këtij viti do të nisin punimet për ndërtimin e shkollës reprezentative në Komoran dhe vlera e investimeve do të jetë rreth 2 milionë euro, shkollë kjo profesionale, e cila do të shërbej jo vetëm për nxënësit e Komunës së Drenasit, por edhe për nxënësit e komunave për rreth.
Ministri Bajrami ka njoftuar po ashtu edhe për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Fushticë e Lartë, ndërtimi i një çerdhe në qendër të qytetit dhe do të ndihmojnë mësimdhënësit me trajnime profesionale për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Bajrami ka thënë se do të investojnë në riparimin e objekteve shkollore dhe do t’i paisin me inventarizim dhe mjete të konkretizimit.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar ministrin Bajrami për mbështetjen e ofruar në zhvillimin e arsimit në Drenas dhe u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Arsimit për interesin e aftësimit të të rinjve dhe ka thënë se do të sigurojnë një parcelë me sipërfaqe të mjaftueshme në Komoran për ndërtimin e shkollës profesionale, e po ashtu edhe një hapësirë të nevojshme në qendër të qytetit për ndërtimin e çerdhes publike, kurse për ndërtimin e shkollës në fshatin Fushticë e Lartë, ka thënë se është siguruar parcela në mes të fshatit.
Lladrovci dhe ministri Bajrami kanë vizituar edhe terrenin ku MAShT-i do të investojë për ndërtimin e çerdhes për fëmijët në Drenas.